Kurti ankohet për njëanshmëri të BE-së dhe SHBA-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten u ankua për njëanshmëri ndaj Kosovës nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe tolerancë ndaj siç e quajti ai regjimin autoritar të Serbisë, raporton Associated Press.

Të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi – përkatësisht Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak – “vijnë tek ne me kërkesa, me kërkesat e palës tjetër”, tha ai në një intervistë për AP.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, pasi për më shumë se dhjetë ditë, serbë lokalë po protestojnë në afërsi të komunave në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë kërkuar edhe mbajtjen urgjente të zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve në këto zgjedhje dhe fillimin e punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.