Kurti: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do t'i sjellë të mira gjithë rajonit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë dhënë sot për Sky News tha se Kosova duhet të jetë sa më shpejtë anëtare e NATO-s.

Kurti theksoi se Kosova nuk ka frikë nga situata në Ukrainë si dhe është vigjilente karshi kësaj situate.

“Por, ne qëndrojmë të vendosur dhe vigjilentë dhe nuk kemi frikë. Ne duam të anëtarësohemi në BE dhe NATO. Aktualisht kemi NATO-n në Kosovë, por sa më shpejt të anëtarësohemi në NATO do të jetë më mirë për popullin e Kosovës, për Republikën e Kosovës por për gjithë rajonin dhe kontinentin evropian në përgjithësi”, tha Kurti në një intervistë për Sky News.

Prej disa ditësh, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj nisi një fushatë në formë kërkese në rrjete sociale, duke thënë se “është koha që Kosova të anëtarësohet në NATO”.

Por, shteti i Kosovës ende nuk ka aplikuar formalisht për anëtarësim në organizatën më të madhe të sigurisë në botë – NATO.

Sot janë bërë gjashtë ditë prej kur një vendim i presidentit rus, Vladimir Putin, prodhoi një luftë të re në kontinentin e Evropës.

Të dielën, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se “kemi frikë se Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë”, duke shtuar se pushtimi rus i Ukrainës mund të përhapet në vendet fqinje, duke përfshirë Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Ballkanin Perëndimor.

Rrezikun për Ballkanin Perëndimor e kanë parashikuar edhe njohës të çështjeve ushtarake dhe të sigurisë duke thënë se siguria e Kosovës mund të cenohet. Sipas tyre, pikë kritike është veriu i vendit.

Dje, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se vendi i tij e përkrah hyrjen e Kosovës në NATO.

Erdogan: Turqia e përkrah hyrjen e Kosovës në NATO

.