Kurti: Ambasadorët nuk mund të bëhen ministra, e ne të bëhemi zëvendësit e tyre

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se të gjitha hapat që janë duke u marrë për situatën në veri janë në koordinim të ngushtë me ambasadorët e QUINT-it, por që sipas tij ata nuk mund të bëhen ministra.

“Vazhdimisht jemi në konsulte e bashkërendim me faktorët ndërkombëtar, por ju duhet ta kuptoni që edhe ata presin që ne të jemi në nivel të detyrës në vendin tonë, janë ambasadorët e QUINT-it, por ata s’behën dot ministra, qeveritë vinë e shkojnë por shteti mbetet, ai është caku yni ai është kuptimi ynë” – tha Kurti në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës.

“Bashkërendimi me faktorët ndërkombëtar nuk mund të bëhet në mënyrën që ne i trajtojmë ata si ministra, e në bëhemi zëvendës të tyre, sepse as ata nuk e duan këtë gjë, jemi në një faqe të ndjeshme në kuptimin demokratik e civilizues të fjalës” – shtoi ai.

Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Kurti tha që Policia e Kosovës nuk është e orientuar kundër komunitetit serb.

“Policia e Kosovës kurrë nuk është e orientuar kundër serbëve, përkundrazi ajo ka një konsideratë shtesë për serbët në Kosovë, pikërisht për shkak të keqinterpretimeve që mund të bëhen nga fqinji ynë verior” – theksoi ai.

Sipas Kurtit, Kosova e ka obligim organizimin e zgjedhjeve në komunat veriore ku kryetarët kanë dhënë dorëheqje.

“Ne kemi obligime që dalin nga kushtetuta dhe ligji, kur japin dorëheqjet, ka pastaj obligime. Presidentja konsulton krerët, caktohet data, ndjekin procedura edhe nga zyrtarët e KQZ-së, janë veprime shtetërore që i parasheh kushtetuta dhe ligji” – shtoi ai.

Kurti kërkoi edhe ndihmën e opozitës për t’i dhënë ide për dhe mbështetje për situatën në të cilën është vendi.

“Duhet ta kuptoni që gjithçka që po ndodhe është çështje e shtetit të Kosovës dhe ne përpiqemi me aq çka mundemi e dimë, të jemi në shërbim të kësaj, të jemi në nivelin tonë të detyrës si zyrtarë shtetëror, dhe për këtë është mirë ta kemi ndihmën e juaj edhe me mbështetje publike edhe me ide konkrete, sepse besoj që qëllimin e kem të përbashkët” – shtoi ai.

Ditëve të fundit në komunat veriore ka pasur tensione, para pak ditësh janë sulmuar zyrat e komisionit qendror të zgjedhje, ndërsa dje është plagosur një zyrtar policor.

Ambasadoret e SHBA-së dhe Gjermanisë kanë kërkuar shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve të parapara më 18 dhjetor.