Kurti: Ajo që është dashur të ndodhë para 11 viteve, po fillojmë të zbatojmë tani

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për vendimin e reciprocitetit me Serbinë, ka thënë se ajo që është dashur të ndodhte para 11 viteve, po zbatohet tani.

“Ajo që është dashur të ndodhë para 11 viteve e po fillojmë të zbatojmë tani. 11 ka pasur pritje e tash për më pak se një muaj ka nxitim. Pra ky muaj qenka shumë më i rëndë se këto 11 vjet”, ka thënë Kurti.

Kurti deklaroi se ka pranuar tek faktorët ndërkombëtarë të shtyjë zbatimin e vendimit pasi sipas tij po bëhej një fushatë dezinformimi.

“Ne kemi pranuar tek faktorët ndërkombëtarë që të shtyjmë zbatimin e vendimit për 1 shtator për shkak të fushatës së dezinformimit jo për shkak të mungesës së fushatës sonë. Është folur për operacionin ‘stuhia’ që do të ndodhë të dielën, është folë për “ferrin” që do t’i pllakosë serbët në Kosovë, dhe është ngritë një fushatë e tillë që të zbatohet ajo se çka ndodhi të dielën”, ka deklaruar Kurti.

“Në situatën në të cilën ndodhemi, e kemi marrë vendimin më të duhur. E kemi komplet mbështetjen amerikano-evropiane në njërën anë dhe në anën tjetër vendimet e Qeverisë fillojnë së zbatuari me 1 shtator”, shtoi ai.

Më tej, Kurti foli për kohën kur para katër viteve kur kryeministër i Kosovës ishte Ramush Haradinaj.

Sipas Kurtit, në atë kohë në Zyrën e Kryeministrit është pritur Radoiçiq ndërsa sot, Radoiçiq ka fletarrest dhe është në listë të zezë të SHBA-së.

“Para 4 vjetëve kryekrimineli atje që është sot Radojçiq është pritur në zyrë të kryeministrit a sot ka flet arrest dhe është në listë të zezë të thesarit amerikan. Ka ardhur në veri për një video dhe është në Serbi. Ky është dallim i madh. Mos më shitni patriotizëm dhe moral se ju njohim mirë”, u shpreh Kurti duke iu kundërpërgjigjur Haradinajt, i cili e quajti kryeministrin “good guy”.

Një ditë para se të hynte në fuqi vendimi të Qeverisë së Kosovës që qytetarët e Serbisë të pajisen me dokumentin për hyrje-dalje për në Kosovë, grupe të organizuara bllokuan rrugët për në pikat kufitare, në Jarinje dhe Bërnjak.

Përveç bllokimit të rrugëve, Policia e Kosovës kishte njoftuar se në natën e 31 gushtit kishte pasur sulme me armë ndaj Policisë së Kosovës, ndërsa disa qytetarë është raportuar se janë lënduar nga persona të maskuar dhe të pajisur me armë të gjata.

Qeveria e Kosovës pas kërkesës së ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, ishte zotuar që të shtyhet për 30 ditë zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit, nga momenti kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.