Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Abdixhiku e Hoti bashkë, nuk janë as sa çereku i njërit prej ministrave të tanishëm

Kryeministrit i Kosovës, Albin Kurti dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku kanë zhvilluar një serë debatesh sot në seancën e Kuvendit pasi Kurti ka prezantuar gjashtë kushtet me të cilat Kosova mund ta konsiderojë themelimin e Asociacionit.

Në një kundërpërgjigje ndaj deputetit të LDK-së, Kurti tha se i njeh mirë Abdixhikun dhe deputetin Avdullah Hoti, pasi i ka pasur në kabientin e tij në Qeverinë Kurti 1.

Kurti e ka bërë një krahasim mes Abdixhikut e Hotit në kohën e qeverisë Kurti 1 me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministrin Hekuran Murati.

“Unë deputetin Abdixhiku [Lumir Abdixhiku] e kam pas ministër edhe deputetin Hotin [Avdullah Hoti], që s’qenka këtu e kam pas zëvendës, por veç me ju tregu diçka për këtë aspekt zëvendësi Bislimi [Besnik Bislimi] dhe ministri Murati [Hekuran Murati], cilido prej tyre, këta dytë bashkë s’janë as çereku i njërit prej tyre”- ka thënë Kurti.

Ai e ka përmendur edhe deputetin e LDK-së, Agim Veliun për kohën kur Veliu ka qenë ministër i Brendshëm në Qeverinë e koalicionit LVV-LDK.

“Unë e kam pas edhe zëvendës edhe ministër, i njoh mirë, i njoh shumë mirë. E kam pas edhe ministrin e Brendshëm nga radhët e LDK-së, për një periudhë të shkurtë dhe nuk kanë pas këso ideshë. Këtyre idetë ua dirigjon karrika. Pra bëhet fjalë për deputetë e ish-ministra që mendimet ua dirigjojnë karrika ku ulen e jo bindjet që i kanë apo më mirë të them s’i kanë”- ka thënë Kurti.

Lidhur me këtë, deputeti Veliu tha se në atë kohë i ka ofruar Kurtit të ndërmarrin aksione në veri por sipas tij, Kurti nuk ka pasur guxim.

“Ky [Albin Kurti] e din shumë mirë që mua menja nuk më ka shku me bo budallakina të tilla qysh po bon ky tash në veri, por kam punuar për integrim të veriut perime. Edhe ky shumë mirë e din që unë i kam ofruar këtij të ndërmarrim aksione të ndryshme në veri, por ky nuk ka pasur guxim. Edhe atëherë i kam thanë që është mashtrues, nuk ka guxim, edhe sot i them të njëjtat fjalë”- ka thënë ai.

Debati mes Kurtit e deputetëve të LDK-së, erdhi pas deklaratës se kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili tha se heqja e armëve në është përgjegjësi kushtetuese e Kurtit dhe e organeve të rendit në Kosovë, dhe se sipas tij nuk është çështje e dialogut me Serbinë.

Kurti në seancën e Kuvendit ka treguar gjashtë kushtet me të cilat Kosova mund ta konsiderojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”- është njëri nga kushtet e Kurtit, për të cilën pati reagim nga Abdixhiku.