Kurteshi pretendon se LDK dhe PDK tentuan të bëjnë vjedhje industriale në një vendvotim në Fushë Kosovë

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, ka thënë se në një vendvotim në Fushë Kosovë u tentua të bëhet vjedhje industriale e votave nga subjektet politike PDK  dhe LDK.

Këto komente ai i bëri pas raportimit të Kryeshefit të Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Burim Ahmetaj, lidhur me procesin e rinumërimit të disa vendvotimeve.

“Ka pasur përpjekje për vjedhje industriale nga PDK dhe LDK, me një vendvotim në Fushë Kosovë, komisioneri i PDK dhe LDK kanë filluar të vulosin fletëvotime të paplotësuara. Kur është tërhequr vërejtja, i kanë shqyer, pastaj janë marr nga policia”, ka thënë Kurteshi.

Ai tutje shtoi se këtu bëhet fjalë për vepër penale dhe duhet të pritet vendimi i prokurorisë.

“Po flasim për vepër penale, kemi përpjekje për vjedhje, dhe ne nuk do lejojmë që një gjë e tillë të ndodhë. As QNR nuk ka të drejtë që ta tejkalojë këtë, deri të përfundojë hetimi nga prokurori dhe policia”, shtoi tutje ai.

Lidhur me këtë deklarim, Burim Ahmetaj tha se po bëhet abuzim dhe tentim për njollosje të subjekteve të caktuara dhe  procesit zgjedhor.

Më 17 tetor në Kosovë u mbajtën zgjedhjet lokale për kryetar komunash dhe asmable komunale.