Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurteshi: PDK-ja ka pasur nevojë t'i pastrojë listat, ne nuk kemi

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka deklaruar se LVV nuk ka nevojë të pastrojë listat për deputetë.

Kjo erdhi pasi anëtari i KQZ nga PDK-ja tha se edhe partitë e tjera duhet të ndjekin standardin e tyre për pastrim të listës.

“PDK-ja ka pasë të drejtë edhe e ka bërë me vend këtë për aktakuza dhe për korrupsion. Ata kanë pasë nevojë. Këtë nuk e prek Vetëvendosjen, nuk ka pasë nevojë”, u shpreh Kurteshi.

Në emisionin e sotëm të “KALLXO Pernime” po diskutohet me vendimmarrësit e KQZ-së.

Të ftuar në emisionin e sotëm janë, Arianit Elshani nga PDK, Ibrahim Selmanaj nga AAK, Sami Kurteshi nga LVV dhe Labinot Leposhtica nga Zyra e Ligjore e BIRN-it.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani mbrëmë ka shpërndarë legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe ka caktuar zgjedhjet parlamentare të parakohshme për më 14 shkurt.

Kurse, sot, në mbledhjen e KQZ-së u bë e ditur se fushata zgjedhore fillon më 3 dhe përfundon më 12 shkurt 2021.

Vendi po shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme pasi më 21 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur Qeverinë Hoti si antikushtetuese.

Kushtetuesja kishte konstatuar se qeveria e zgjedhur më 3 qershor 2020, nuk ishte në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [zgjedhja e qeverisë] të Kushtetutës sepse qeveria nuk kishte marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Kjo për shkak të votës së deputetit Etem Arifit, i cili, më 3 qershor votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”, prej një vit e tre muaj burgim.