Kurtaj: Lajmet e rreme mund ta dëmtojnë përkohësisht sistemin e drejtësisë
Përgjegjësi në Departamentin Special në Gjykatën e Prishtinës, Valon Kurtaj tha se dezinformatat për drejtësinë sjellin dëme të përkohshme në sistemin e drejtësisë.
Kështu deklaroi Kurtaj në emisionin Kallxo Përnime më 15.09.2024.
“Unë mund të them se edhe tema sot që po e trajtojmë kemi të bëjmë me lajme të rreme që mund ta dëmtojnë imazhin e sistemit të drejtësisë mund ta dëmtojnë për një kohë Ad-Hoc derisa publiku ta mësojë të vërtetën”- tha Kurtaj.
Kurtaj tha se sistemi i drejtësisë në të cilin përfshihen gjykatat dhe sistemi i drejtësisë në përgjithësi vepron sipas parimit të publicitetit. Sipas gjyqtarit, veprimet e gjyqësorit janë të hapura edhe ndaj atyre të cilët kërkojnë informacione të sakta.
“Sistemi i drejtësisë, duke përfshirë gjykatat, sistemin gjyqësor tani për tani e kanë mbi të gjitha parimin e publicitetit, janë të hapura ndaj mediave dhe publikut, ndaj atyre që kërkojnë të kenë informacione të sakta për gjykatat këshillin dhe si vendoset në çështje gjyqësore”-tha tutje Kurtaj.
Sipas Kurtajt, shqetësuese për të është kur informacionet nga gjykata plasohen në publik me qëllim të dezinformimit.
“Shqetësuese për mua është atëherë kur në këto informacione i bëjmë me qëllim të dezinformimit të publikut”- tha tutje ai.
“Në anën tjetër a e dëmtojnë sistemin e drejtësisë këto lajme që kanë qëllime apo janë jo- profesionalizëm i gazetarëve, se edhe këtu mund të jenë lajme që bëhen me qëllime të caktuara për me dezinformu publikun për sistemin e drejtësisë, por janë lajme që edhe mund të bëhen edhe të pa qëllimshme”- vazhdoi tutje Valon Kurtaj.