Reporting House
Kuratorja Fatoş Üstek prezanton të premten librin e saj në 'Reporting House'
Kuratorja e njohur botërore, Fatoş Üstek do të prezantojë për herë të parë e librin e saj të fundit, “Institucioni i artit të së nesërmes: Rishpikja e modelit” në Prishtinë.
Prezantimi i librit të kuratores Üstek do të bëhet të premten, më 06.09.2024, në Reporting House, (Shtëpia e Gazetarëve) ish-ndërtesa e Gërmisë në ora 10:00.
Fatoş Üstek, kuratore e pavarur, është lidere e zëshme e artit bashkëkohor me përvojë ndërkombëtare që jeton në Mbretërinë e Bashkuar.
“Reporting House” ka bërë të ditur përmes një komunikate se libri i Üstek është një manifest unik për ngritjen e standardit të praktikave institucionale për art në mbarë botën.
“Libri sugjeron që institucionet ekzistuese të artit nuk janë të pajisura për t’u marrë me ndryshimet radikale sociale, ekonomike dhe mjedisore nëpër të cilat po jetojmë. Üstek e shtyn idenë se këto institucione duhet të angazhohen për ta avancuar prezantimin e artit ngase nëse ato nuk e rishqyrtojnë qëllimin e tyre kryesor dhe nëse nuk e transformojnë rrënjësisht strukturën e tyre organizative do të fillojnë të humbasin rëndësinë dhe ndikimin e tyre”- thuhet në njoftimin e ‘Reporting House’.
Sipas komunikatës, diskutimi me Üstek do të moderohet nga Gazmend Ejupi, kurator i ‘Reporting House’, derisa do të ketë mundësi për intervista dhe mbulim mediatik gjatë dhe pas ngjarjes.
Kuratorja Fatoş Üstek ka qenë kuratore e Bienales së Liverpool, ka bërë kurimin e shumë ekspozitave në bienale e festival të njohuar të arti në vende të ndryshme të botës. Për më tepër, Üstek është e njohur edhe si mendimtare me ndikim në këtë sektor. Ka qenë pjesë e shumë jurive por edhe organizimeve të ndryshme që kanë të bëjë më fushën e artit. Ajo është këshilltare editoriale dhe redaktore kontribuese në Extra Extra Magazine, anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare të Kritikëve të Artit AICA UK, ICI, IKT dhe anëtare themeluese e Shoqatës së Grave në Arte (AWITA). Është e listuar në seksionin festiv Apollo 40 në kuadër të 40 Mendimtarëve në vitin 2018.
Ekspozita ‘Reporting House’ (Shtëpia e Gazetarëve) është hapur më 10.06.2024 në ish- Shtëpinë e Mallrave “Gërmia” në Prishtinë.
Ekspozita ‘Reporting House’ është dëshmi e punës së madhe që kanë bërë gazetarët vendorë e ndërkombëtarë gjatë luftës në Kosovë.
E prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, ekspozita prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.
Hapet zyrtarisht dhe për publikun ekspozita “Reporting House”