Kur pritet certifikimi i rezultateve të 6 tetorit?
Dje, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar rinumërimi i mbi 1 mijë e 400 vendvotimeve.
Ky rinumërim erdhi pas një vendimi të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili urdhëroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për rinumërim.
Ndërkohë, KQZ është duke pritur afatin prej 24 orësh për publikimin e rezultateve të rinumërimit.
“Rinumërimi është përmbyllur në orën 14:00 të ditës së diele, prandaj duhet të presim afatin ligjor 24 orësh nëse ka ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR, para se të procedojmë me publikimin e rezultateve pas procesit të rinumërimit”, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës i këtij institucioni.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 6 tetor ndërsa forca më e madhe politike në vend ka dal Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.