Ilustrim

Kur lejohet e kur ndalohet përgjimi, inçizimi dhe fotografimi i fshehtë  

Përgjimet, incizimet dhe fotografimet e fshehta janë një dukuri e shpeshtë në shoqëri, mirëpo jo secili e di që për veprime të tilla edhe mund të ndëshkohet.

Është një fije e hollë e cila përgjimin, incizimin dhe fotografimin e fshehtë e ndanë nga vepra penale, ajo është qëllimi i përdorimit të tyre.

Qëllimi dhe përdorimi i tyre e determinon fatin e personit i cili e ka përgjuar, incizuar ose fotografuar personin tjetër në mënyrë të fshehtë. Nëse qëllimi dhe përdorimi i atyre incizimeve është zbulimi i ndonjë vepre penale apo interesi i përgjithshëm shoqëror atëherë nuk ka përgjegjësi penale për personin i cili ka incizuar ose fotografuar në ato raste.

Pothuajse çdo ditë gazetarët gjatë punës së tyre pa njoftim dhe paralajmërim paraprak i incizojnë bisedat me personat me të cilët kontaktojnë. Veprimet të tilla nuk hyjnë në sferën e kriminalitetit nëse nuk e cenojnë jetën private të atij personi.

Sipas komentarit të Kodit Penal incizimi i bisedave ose deklaratave të cilat kanë të bëjnë me biseda politike, zyrtare, afariste dhe profesionale nuk përbën vepër penale.

“Përgjimi, përgjimi tonik ose incizimi i bisedave a deklaratave të cilat kanë të bëjnë me biseda politike, zyrtare, afariste, profesionale e biseda tjera të cilat nuk prekin jetën private, nuk konsiderohet vepër penale”, përshkruhet në komentarin e Kodit penal.

Dënimet për personat të cilët këto veprime i ndërmarrin për qëllime të tjera dhe jo për interes të përgjithshëm shoqëror janë të ashpra.

Ligjvënësi ka përcaktuar se kushdo që fotografon ose e filmon personin tjetër në banesën e tij ose ndonjë vend ku i ai ka pritje për privatësi, dënohet me gjobë ose deri në 3 vite burgim.

Dënim i ngjashëm parashihet edhe për përgjimin e pa autorizuar.

Sipas nenit 201 të Kodit Penal të Kosovës, kushdo që pa autorizim, përgjon bisedën apo deklaratën e personit tjetër ose i mundëson të tjerëve ta dëgjojnë atë bisedë dënohet prej një deri në tre vite burgim.

Për këto vepra penale nga viti 2016 e deri në vitin 2020 në Kosovë janë dënuar 18 persona.

Sipas të dhënave të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, shumica e këtyre dënimeve janë me burgim me kusht, pjesa tjetër me gjobë ndërsa vetëm në dy raste ka pasur dënime me burgim.

Incizimi dhe përgjimi i fshehtë nga mediat

Sikurse Kodi penal i Kosovës edhe Kodi i etikës së shërbimeve mediale në Kosovë i kushton rëndësi të veçantë mbrojtjes së privatësisë së individëve.

Sipas këtij Kodi, mediave vizuale ju ndalohet ndërhyrja në çështjet private dhe personale të personave në rastet kur nuk ka të bëjë me interesin publik.

Ngjashëm parashihet edhe në Kodin Etik të Mediave të shkruara të Kosovës ku përcaktohet se vetëm për arsye të interesit publik mund të kërkohet në jetën private të një individi.

“Gazetat, portalet dhe agjencitë e lajmeve do t’u shmangen ndërhyrjeve dhe kërkimeve në jetën private të një individi, përderisa ndërhyrje apo kërkime të tilla janë të nevojshme për arsye të interesit publik”, thuhet në kapitullin e shtatë të këtij Kodi.

Në bazë të statistikave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në Gjykatat e Kosovës paraqiten së paku 8 aktakuza në vit të cilat kanë të bëjnë me incizimin ose fotografimin e pa autorizuar.

Së fundi një akuzë e tillë është ngritur në shtator të këtij viti, ku për  inçizim të pa autorizuar po akuzohet një ish deputet i Kuvendit të Kosovës.

Fjala është për deputetin Milaim Zeka i cili sipas prokurorisë gjatë vitit 2017 në një nga restorantet e Prishtinës e kishte incizuar B. D., dhe më pas kishte publikuar një artikull duke përfshirë jetën private të saj.

Përpos aspektit penal, nuk janë të rralla rastet kur media të ndryshme në Kosovë konsiderohen përgjegjëse për shkelje të privatësisë pasi publikojnë artikuj me fotografi ose incizime të cilat nuk janë në interesin e publikut.

Janë dhjetëra raste të tilla gjatë dy viteve të fundit ku është konstatuar se mediat e kanë shkelur Kodin Etik në momentin që kanë publikuar fotografi, incizime apo përgjime të cilat nuk kanë qenë në interesin e publikut.

Gazetarët gjatë punës së tyre duhet të jenë të kujdesshëm në përdorimin e fotografive, incizimeve apo edhe përgjimeve pasi nuk mund  ti përdorin me qëllim të keqpërdorimit të tyre por gjithnjë ato duhet të jenë në interesin e publikut, në të kundërtën do të përballën me ankesa ose edhe ndjekje penale nga organet ndjekëse te shtetit.