Mbeturinat në Istog

Kur do të pastrohen deponitë ilegale në fshatrat e Istogut?

Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, kohë pas kohe ka promovuar në rrjetet sociale mirëmbajtjen e hapësirave publike të Istogut, por kur ekipi i “Jeta në Komunë” ka shku pak ma larg se qyteti. Në fshatrat Cerkolez, Shushicë, Studenicë, ka gjetur deponi të mbeturinave madje ka marrë edhe ankesa prej banorëve që në kohë të verës ka kundërmim për shkak të deponive. E i pari i Istogut u përgjigj duke thënë se është Istogu është ndër më të pastrat në nivel të Kosovës.

“Ka 100 përqind përfshirje të mbledhjes së mbeturinave të kompanisë “Ambienti”, ka diku 97 për qind inkasim për shërbimin që e jep, qytetari nuk paguan nëse s’ka shërbim”- tha Ferati.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Abedin Kabashi tregoi se ka ende deponi që do të pastrohen në të ardhmen.

“Se nuk ju ka ardhë rendi me u kry hala, ju vjen kur të vjen koha. Kemi bërë pastrim të deponive edhe pse nuk është buxheti i madh. Tetë deponi janë pastruar. Në Kovravë, në Muzhovinë, në Gurrakoc, në Banjë afër shkollës aty në vazhdimësi e heqim”- për këtë vit i kemi pastruar tha drejtori Kabashi.

Për fshatin Shushicë tha se nuk është pastruar ndonjëherë deponia e mbeturinave.

“Jo, se kanë pastruar ai është vend që nuk është i frekuentuar është rrugë malore të ardhmen kam paraparë me bë trasenë e rrugës dhe pastrimin e deponisë”- tha ai.

Gjithashtu ai shtoi se së fundmi kanë caktuar edhe lokacionin për deponinë për materiale të ngurta.

“Ku e kemi pas deri tani deponinë që e kemi pas afër qytetit ajo është mbushë tash e kemi bërë në zonën e Tushevcit”- tha drejtori Kabashi.

E kryetari Ferati tha se edhe deponisë ilegale të mbeturinave në Shushicë do t’i vjen rendi të pastrohet.

“Janë 12 deponi ilegale që janë të identifikuara dhe kanë mbetur, pse po them kanë mbetur, fshati e ka pas në pjesën e pasluftës pikë ku kanë hedh mbeturina dhe ë kanë rujt si memorie që ai vend është me hudh mbeturina. Për çdo vit 30-40 mijë deri tash janë 130 mijë euro eliminim i mbeturinave ilegale që nuk janë shqetësuese nuk janë gjigande. Në Shushicë nuk i paska ardhë rendi, ka me i ardhë rendi sigurt”- tha kryetari Ferati.