Perparim Rama - Elbert Krasniqi

Kur do të marrë epilog çështja e festivalit 'Sunny Hill'?

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet për çështjen e mbajtjes së festivalit “Sunny Hill”.

Për të diskutuar rreth kësaj teme që ngjalli reagime të shumëta janë dy drejtuesit e Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, dy institucione që ia hodhën fajin njëra-tjetrës pas vendimit që festivali të zhvendosej në Tiranë, para se të merrej vendimi që ai prapë të mbahej në Prishtinë.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar se një zgjidhje përfundimtare mund t’i jepet për edicionin e ardhshëm.

“Të gjithë jemi të interesuar që edicioni i ardhshëm të organizohet në hapësirën e saj. Jo deri një vit, por më shpejt do të zgjidhet. Janë diskutimet. Është shumë e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme e cila ka për qëllim krijimin e një hapësire për aktivitete e tilla kulturore”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, kryetari Përparim Rama u përgjigj se procesi është vonuar për shkak se nuk ka pasur proces të negocimit.

Sipas tij, çështja e 99-vitëshit nuk ka qenë problem asokohe.

“Kërkesa e Ministrisë së Pushtetit Lokal prej qeverisjes së kaluar kur është kthyer e jashtëligjshme, kanë qenë tri pika. Për shkak se nuk ka pasur negocim, nuk ka qenë listë të veçantë dhe lista e përhershme. Nuk është përmendur kurrkund 99-vitëshi, Nuk ka qenë problem 99-vitëshi. Jam i hapur për çfarëdo marrëveshje që festivalin ta kemi këtu”, ka thënë Rama.

Lidhur më këtë, Krasniqi tha se çështja e 99-vitëshit është procedurë “shumë administrative”.

Më 10 maj, Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte votuar që kompanisë “Sunny Hill” t’i jepet prona 17-hektarëshe në Bërnicë të Poshtme në shfrytëzim për 99 vite.

Më 14 qershor, festivali “Sunny Hill” tha se nuk do të mbahet në Prishtinë, por është zhvendosur në Tiranë.

Ndërkaq, më 20 qershor u tha përmes një deklaratë të përbashkët e Ministrisë së Kulturës, Komunës së Prishtinës dhe “Sunny Hill” se festivali do të mbahet në Prishtinë, më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022.