Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kur do të kenë ndriçim publik fshatrat e Klinës?

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Klinës, në “Debat Përnime” ka treguar se kur do të kenë ndriçim publik fshatrat e kësaj komune.

Sipas tij, në fund të vitit 2022 dhe në fillim të vitit 2023 do të kenë ndriçim publik të gjitha fshatrat.

“Në fund të vitit 2022 do të mbulohet 100% me ndriçim publik me plus-minus. Edhe nëpër fshatra. Vetëm për këta dy muaj 6 fshatra janë pajisur me poça. Edhe gjatë vitit 2022 do të ketë instalime, por ndoshta edhe në fillim të vitit 2023. Është grant i performancës dhe do të jenë me rrymë”, ka thënë Elezaj.

Në “Debat Përnime” u diskutua për balotazhin e 14 nëntorit në komunën e Klinës.

Në debat pjesëmarrës ishte vetëm kandidati Zenun Elezaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

I ftuar në debat ka qenë edhe kundërkandidati i tij Esat Raci nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), por i njëjti edhe pse e ka konfirmuar pjesëmarrjen është tërhequr nga debati me arsyetimin se ka punë të tjera dhe nuk e di nëse mund të marrë pjesë.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për raundin e parë të zgjedhjeve, kandidati i AAK-së për kryetar të Klinës, Zenun Elezaj ka marrë 43,33 për qind të votave, kurse kandidati Esat Raci nga PDK, ka siguruar 27,42 për qind.