Patrullimi i KFOR-it mbi Urën e Ibrit, Mitrovicë e Veriut më 14.08.2024. Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com

Kur do të hapet Ura e Ibrit? - Qëndrimet e pushtetit qendror dhe atij lokal

Mbi Urën e cila ndan dhe bashkon qytetin e Mitrovicës, paraditen e së mërkurës [14.08.2024] janë parë forca të KFOR-it e policë të Kosovës.

mbledhjen e Qeverisë të mbajtur sot më 14.08.2024, kryeministri Albin Kurti ka thënë se do të vazhdojnë konsultimet dhe koordinimet me partnerët për çështjen e Urës së Ibrit.

Në anën tjetër, ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se nuk ka ndonjë datë të caktuar se kur do të hapet Ura e Ibrit për qarkullim edhe të automjeteve.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, ka deklaruar se nuk ka pranuar ndonjë raport në lidhje me stabilitetin e Urës dhe asnjë detaj që lidhet me çështjen e kësaj ure.

E zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut tha se ky është hap i cili do të duhej të ndërmerrej më parë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër askujt “e aq më pak kundër partnerëve ndërkombëtarë” për çka edhe shtoi se janë duke vazhduar koordinimin për këtë çështje. Ai përmendi edhe takimin të cilin e ka pasur me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash, më 13.08.2024.

“Me komandantin Ulutash diskutuam edhe për hapjen e urës kryesore në Ibër në Mitrovicë të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë”- tha Kurti.

Në anën tjetër, Kurti shtoi edhe se do të vazhdojnë konsultimet dhe koordinimet me partnerët.

“Hapja e urës nuk është kundër askujt e aq më pak ndaj partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”- tha Kurti.

Për çfarëdo veprimi në lidhje me Urën e Ibrit, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, thotë se do të ketë koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

Krasniqi edhe pse nuk dha një datë se kur planifikojnë ta hapin Urën, tha se dialogu me qytetarët serbë për hapjen e saj nuk ka qenë vetëm këtyre ditëve.

“Nuk ka asnjë arsye që Ura duhet të jetë e mbyllur. Aty janë edhe dy ura tjera që shfrytëzohen. Unë vazhdimisht i shoh qytetarët serbë dhe sigurisht që hapja e Urës do të lehtësojë jetën e qytetarëve. Ura është momentalisht në gëlqerosje dhe përgatitje tjera. Aty është bërë një vlerësim i qëndrueshmërisë. Ne jemi duke i përmbyllur të gjitha punët dhe sigurisht se nuk mund të them një datë se kur do të hapet Ura”- tha Krasniqi në konferencë për media më 14.08.2024.

Bedri Hamza, ndonëse i prin Komunës së Mitrovicës së Jugut, aty ku shtrihet edhe Ura e Ibrit, e cila i lidh dy anët e qytetit të Mitrovicës, në një deklarim të shkurtër për KALLXO.com ka konfirmuar se nuk ka pranuar ndonjë raport në lidhje me stabilitetin e Urës dhe asnjë detaj që lidhet me çështjen.

“Nuk kam pranuar asnjë raport e askush nuk e ka biseduar këtë punë prej institucioneve të Kosovës” – ka deklaruar Hamza për KALLXO.com.

Ai nuk ka dashur të flasë më shumë rreth kësaj çështjeje me arsyetimin se në këtë kohë të gjithë duhet të jenë të matur në deklarime.

Zëvëndëskryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Skender Sadiku, në një prononcim për KALLXO.com tha se hapja e Urës ka qenë kërkesë e kahmotshme e Kuvendit Komunal në veri.

“Ne kemi kërkuar të drejtë univerzale, që u takon edhe banorëve pa dallim etnie të veriut të Mitrovicës. Ne si Asamble Komunale prej vitit 2023 kemi dhënë në kompetencat tona si shenjë e normalizimit që të hapet ura edhe për qarkullimin e veturave”- ka thënë Sadiku.

Tutje ai bën thirrje që mos të ketë kundërthënie me komunitetin dhe ndërkombëtarët.

“Bëj apel që të ruhen edhe komuniteti ndërkombëtar të cilët janë duke na rujtë. T’i ruajmë këta që po na ruajnë neve. Ndërkohë duhet me i rujtë miqtë që na kanë ndihmu në momentet më të rënda dhe assesi nuk duhet të kemi kundërthënie me komunitetin dhe me miqtë tanë”- ka thënë Sadiku.

www.kallxo.com