Kur do të funksionalizohet Sistemi Informativ Shëndetësor në Kosovë?

Sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, nuk e ka dhënë një afat të saktë se kur do të funksionalizohet Sistemi Informativ Shëndetësor në spitalet e Kosovës.

Në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, Bardiqi tha se Sistemi Informativ krijon transparencë më të madhe në sektorin e shëndetësisë.

“Sa i përket dixhitalizimit të procedurave me automatizëm nënkuptohet që krijohet një transparencë më e madhe dhe është e gjurmueshme. Thash edhe më përpara janë ato që quhen ‘legacy system’ nuk është që jemi krejt pa to, për shembull kujdesi parësor shëndetësor, institucionet e tyre e kanë të shtrirë. E te SHSKUK-ja e kemi marrë ‘inception report’ prej kompanisë para një jave” – ka thënë  Bardiqi.

Ai ka thënë se raportin final rreth Sistemit Informativ Shëndetësor, Ministria do ta ketë deri në fund të qershorit, ndërsa më pas do të bëhet një plan i veprimit.

“Raportin final e presim më së largu deri në fund të qershorit, mas fundit të qershorit kur të marrim raportin dhe t’i provojmë rekomandimet, atëherë do të nxirret një plan i veprimit dhe saktë do të caktohen edhe ‘time-line’ për seciin aktivitet veç e veç dhe një kosto se sa do të kushtojë e krejt kjo” – tha Bardiqi.