Kur do të fillojë Termokosi faturimin me njehsorë?

Kryeshefi ekzekutiv i Termokosit, Fisnik Osmani, ka thënë se aktualisht është në fazën fillestare të impelentimit projekti për faturimin e ngrohjes me njehsorë.

Në emisionin ‘Kallxo Përnime’, Osmani ka thënë se njehsorët është një program shumë i rëndësishëm për ngrohtoren dhe qytetin.

“Është programi që do të vendosen matësit e rinj të energjisë në secilin radiator. Projekti parashikon diku mbi 17 njësi të tilla që do të vendosen, tash teknikisht do të vendoset një matës në 2/3 të radiatorëve dhe do të vendosen valvulat në secilën prej radiatorëve. Projekti momentalisht është në fazën e implementimit të tij, deri tash si njësi banimi kemi arritur në numrin mbi 5 mijë e 200. Punimet janë duke u zhvillu në Bregun e Diellit, Dardani, në zonën e Qendrës” – tha Osmani.

Osmani bëri të ditur se parashihet që vitin e ardhshëm të implementohet i gjithë projekti.

“Projekti i ka dy specifika. E para, ne do t’i ndihmojmë MCC në realizimin e projektit, për shkak se jemi duke e realizuar një plan dinamik. Projekti e parasheh që vitin e ardhshëm, nëse gjithçka shkon mirë, ne të fillojmë matjen me njehsorë” – tha Osmani.