Kupina: Vjosa Osmani mban numrin 2, Albin Kurti bartës i listës

Bekim Kupina, këshilltar për media i ushtrueses së detyrës së presidentes Vjosa Osmani ka thënë se kjo e fundit në listën e përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje e mban numrin 2.

Sipas Kupinës, kandidati për kryeministër nga LVV-ja, Albin Kurti, është bartës i listës.

“Zonja Vjosa Osmani në listën e përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje e mban numrin 2. Ndërkaq kandidat i kësaj Liste për Kryeministër dhe bartës i saj është z. Albin Kurti. Çfarëdo lajmi tjetër për të bërë sensacion medial është i pavërtetë!”, ka shkruar ai në Facebook.

Vjosa Osmani me iniciativën e saj “Guxo” në zgjedhjet e 14 shkurtit do të garojë në listën e LVV-së.

Osmani ka bërë të ditur se synon që ta marrë pozitën e presidentes së vendit.

Në anën tjetër, Albin Kurti dhe kandidatë të tjerë për deputetë që kanë “probleme me ligjin”, nuk janë certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje.

Megjithëkëtë, Kurti do të jetë bartës i listës së LVV-së.