Kupa e Botës Qatar 2022 - Dhunë në Bruksel pas fitores së Marokut ndaj Belgjikës

Policisë së Brukselit iu desh të përgjigjej “me ashpërsi” duke përdorur topa uji për t’i shpërndarë turmat si dhe t’i mbyllte pjesë të qendrës së qytetit pasi shpërthyen trazirat atje pas fitores befasuese të Marokut kundër Belgjikës në Kupën e Botës FIFA të dielën.

Edhe para përfundimit të ndeshjes, “dhjetëra njerëz u përballën me policinë, duke e rrezikuar sigurinë publike”, thotë njoftimi i bërë nga policia e Brukselit.

Protestuesit e dhunshëm kanë thyer xhamat e dyqaneve, kanë hedhur fishekzjarre dhe kanë djegur automjete.

Videot e postuara në rrjetet sociale shfaqin njerëz duke thyer xhamat e një veture përpara se ta rrokullisnin dhe t’ia vinin flakën.

Kryebashkiaku Philippe Close dënoi dhunën, duke shkruar në Twitter se policia u detyrua të vepronte “me ashpërsi”.

“Ata nuk janë tifozë, ata janë rebelë. Tifozët marokenë janë atje për të festuar” – tha Close më vonë.

Policia ka arrestuar rreth dhjetëra persona.

Dhuna shpërtheu gjithashtu në qytetin Antwerp, qyteti më i populluar i Belgjikës.

Përplasje të dhunshme pati edhe në Holandë. Në Roterdam, policia e trazirave u përlesh me një grup prej 500 tifozësh futbolli.

Zyrtarët e atjeshëm raportuan gjithashtu trazira në Hagë dhe në kryeqytetin, Amsterdam, ku një veture iu vu flaka.

Policia e trazirave u vendos në Mercatorplein të Amsterdamit, një shesh në perëndim të qytetit. Lagjja është shtëpia e një komuniteti të madh maroken.

Ekipi maroken i futbollit ka një tifozëri veçanërisht masive në Holandë, me anësorin me origjinë holandeze Hakim Ziyech që e ka nisur karrierën e tij me Ajax të Amsterdamit përpara se të transferohej te Chelsea.

Gëzim e festë në Rabat

Ndërkohë, në kryeqytetin maroken, Rabat, njerëzit u mblodhën në rrugë për festime spontane.

Pati vallëzim, këndim dhe valëvitje të flamujve marokenë, ndërsa shoferët i binin borive teksa kalonin me vetura nëpër rrugët e Rabatit.

Fitorja e së dielës kundër Belgjikës ishte fitorja e parë e Marokut në një Kupë Bote që kur ata e mundën Skocinë në vitin 1998.

Të dyja skuadrat kanë ende një shans për t’u avancuar në 16-shen e fundit të këtij botërori në varësi të mënyrës se si do të përfundojnë ndeshjet e tyre të fundit në fazën e grupeve, me Belgjikën që do të luajë kundër Kroacisë dhe Marokut që do të luajë kundër Kanadasë./Deutsche Welle