"Stacioni i Autobusëve" në Mitrovicë të Jugut

Kundërthëniet mes kryeshefit të 'Stacionit të Autobusëve' dhe kompanive të transportit rrugor për kontratatat në Mitrovicë të Jugut - VIDEO

Disa nga agjensionet turistike që operojnë në Mitrovicë nuk po pranojnë të nënshkruajnë kontrata të cilat po i kërkon kryeshefi ekzekutiv i “Stacionit të Autobusëve” në Mitrovicë, Esat Jusufi.

KALLXO.com ishte në terren më 16.09.2024 derisa të dyja palët po mbanin një mbledhje rreth orës 13:00 dhe të njëjtit po diskutonin me tone të larta.

Sami Beka nga agjensioni “Ariani” tha për KALLXO.com se nuk i përshtaten kushtet të kontratës si dhe nuk mund të paguajë për gjëra të tilla si defekti në autobus.

“Po lyp drejtori me bo kontratë, nuk jam jashtë asaj me bo kontratë. Qysh e kom bo në Prishtinë e në Pejë e boj edhe këtu. Ama ky po lyp tjera sende, ekstra kontratë e ata nuk e bëjë. Kontrata për pronizime. Po kërkon, ki dekë të shtin me pagu, ki defekt ai është kerr, prishet, thotë me pagu. Çoma e-mailin , s’muj me ta çu unë e-mailin me kon që shkruj e-mail isha në qeveri diku, jo në transport”- ka thënë Beka për KALLXO.com.

Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Lokale “Stacioni i Autobusëve” në Mitrovicë, Esat Jusufi tha se këto kompani kanë operuar pa kontrata për një kohë të gjatë gjë sipas të cilit është gabim dhe duhet të ndryshohet.

“Kemi kërku me datë 15 gusht, kemi nxjerr vendim që operatorët të cilët nuk kanë kontratë për kryerjen e shërbimeve në kuadër të stacionit të autobusëve që ne obligohemi nga Deparmamenti i Inspektimit të Ministrisë që është në nivel vendi me i ba këto kontrata dhe me i zbatu ligjet. Në stacionin e Mitrovicës ka qenë një farë problemi kaherë për kohë të gjatë, kanë qenë të mësuar me operu pa kontrata”- tha ai.

Ai shtoi se një pjesë e këtyre kompanive kanë hezituar për nënshkrimin e kontratave duke e kundërshtuar vendimin e stacionit. Sipas tij pronarët e këtyre agjensioneve turistike janë të obliguara të nënshkruajnë këto kontrata.

“Ne i kemi njoftu edhe organet e rendit edhe inspektoratin komunal. Ne nuk iu kemi kriju hapësirë sot (16.09.2024) me u fut në stacionin e autobusëve. Janë duke u nis rreth e përqak stacionit. Në njoftimin që e kemi bërë prej datës 15.08.2024 e kemi cek se marrin përgjegjësi për pjesën që ata munden me shkaktu qoftë me udhëtarë, kalimtarë rasti, eventualisht vonesa dhe pengesa në komunikacion që është në qytet, ata janë përgjegjës për atë pjesë, jo ne si stacion. Jemi të gatshëm me iu ofru kushte që obligohemi me i përmbush edhe kontratat janë të gatshme vetëm nevojitet nënshkrimi i tyre”- përfundoi Jusufi.