Kundërshtari i ‘korrigjimit të kufijve’ zgjidhet raportues për Kosovën në KE

Deputeti i partisë së kancelares gjermane, Angela Merkel, Peter Beyer, sot është zgjedhur raportues për Kosovën në Këshillin Europës.

Gjatë votimit në Komitetin për Politikë të Jashtme dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Beyer fitoi garën ndaj kandidatit Aleksey Kondratyev, i cili është me prejardhje ruse.

“Urime për Peter Beyer nga Gjermania, i cili është emëruar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës si raportues i situatës në Kosovë”, ka bërë të ditur Asambleja Parlamentare në Twitter.

Beyer është pjesë e CDU-së së Angela Merkel që nga viti 1996. Ndërsa, për herë të parë u bë deputet në Bundestag në vitin 2009 ku vazhdon të jetë edhe tani.

Në fund të vitit 2018, Beyer kishte vizituar Kosovën. Atë kohë, kur nisi të flitej për ndryshim kufijsh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, deputeti i Bundestagut shprehu qëndrime kundër kësaj ideje.

Ai kishte thënë se një ide e tillë është e rrezikshme.

“Kam dëgjuar disa shprehje si korrigjim i kufijve, shkëmbim i territoreve. Kjo është ndarje. Nuk është e shëndetshme, është shumë e rrezikshme. Të zgjedhurit duhet të kujdesen për qytetarët e tyre. Deputetët janë ata që përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve”, pati thënë deputeti gjerman.

Ai deklaroi se qëndrimin kundër ndryshimit të kufijve ia kishte shprehur edhe presidentit kosovar, Hashim Thaçi.

Peter Beyer Kosovën kishte vizatuar edhe gjatë këtij viti. Në një takim me kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj, ai kishte dhënë edhe një lajm për liberalizimin e vizave.

“Unë nuk dua të jap datën por ndoshta do të jetë një dhuratë për Krishtlindje”, kishte thënë Beyer para gazetarëve.

Beyer jepte shpesh qëndrime për zhvillimet në Kosovë. Njëjtë e bëri edhe kur u pyet për reagimet e Beogradit zyrtar ndaj formimit të ushtrisë së Kosovës.

“Serbia nuk duhet të jetë e frikësuar për shkak të procesit të transformimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës në një ushtri ushtarake, sepse Kosova duhet të marrë përgjegjësinë për sigurinë e saj në të ardhmen”, kishte thënë ai.

Deklaratat e tij kishin nxitur reagime në Serbi.

“Ai mund ta ketë mendimin e tij dhe ta shpreh lirshëm atë. Por ne nuk pajtohemi me këtë, unë qëndroj në  anën e Qeverisë së Serbisë se gjatë bisedimeve nuk është mirë të ketë vija të kuqe, Qëndrimi i Gjermanisë nuk ka ndryshuar dhe ne nuk jemi të befasuar ”, kishte reaguar kryeministrja serbe, Ana Brnabiq.

Liderët kosovarë i gëzohen zgjedhjes së Beyer

Pasi u konfirmua se Peter Beyer është zgjedhur raportues për Kosovën në Këshillin e Europës krerët e institucioneve në vend iu gëzuan lajmit.

“Sot në takimin e Komitetit për Politikë dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës me shumicë votash u vendosë që raportuesi për Kosovën të jetë, Peter Beyer, deputet nga koalicioni qeverisës CDU-CSU i Kancelares gjermane, Angela Merkel, me 33 vota kundër deputetit rus, Alexei Kondratiev, që mori vetëm 6 vota”, shkroi në “Facebook” kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

Ish- kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se Peter Beyer do t’i mbrojë interesat e Kosovës.

“Shpreh urimet e mia për mikun tim dhe të Kosovës, z. Peter Beyer për zgjedhjen e tij si raportues për Kosovën në Këshillin e Evropës. Zgjedhja e tij është lajm i mirë dhe tepër me rëndësi për popullin e Kosovës”, shkroi kryetari i LDK-së në “Facebook”, Isa Mustafa.

Peter Beyer zgjedhet raportues i Kosovës në KE, eliminohet kandidati rus

 

www.kallxo.com