Kunata iu punësua në Telekom, Haradinaj tregon cili është parakushti për luftim të korrupsionit

Kadri Veseli e ka ‘nisur’ fushatën për zgjedhjet e ardhshme me diskursin për luftim të korrupsionit dhe nepotizimit. Por, partneri i koalicionit, Ramush Haradinaj thotë se korrupsioni nuk mund të luftohet nga njerëzit e pa-sinqertë.

Tutje, lideri i AAK-së tha se kur e luftojmë korrupsionin, duhet të jemi sa më të sinqertë.

“Duhet t’i eliminojmë ato dukuri, ato mangësi që i kemi në shoqëri, edhe korrupsionin. Por, që të përballemi me korrupsionin duhet të jemi sa më të sinqertë, sa më real, për jetën që jetojmë”, deklaroi Haradinaj në ngjarjen në të cilën po merr pjesë edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe ai i Shqipërisë, Ilir Meta.

Por, edhe Haradinaj e Veseli kanë qenë në pushtet në dy vitet e fundit. Këto dy vite janë karakterizuar me punësime të familjarëve të politikanëve nëpër institucione e ndërmarrje publike. Në ndërmarrjen Telekomi i Kosovës është punësuar edhe kunata, gruaja e vëllait të Haradinajt.

Ai në ‘Jeta në Kosovë’ kishte thënë se nuk ka informacione se si është punësuar gruaja e vëllait.

“Nuk jam në dijeni si ka hyrë ajo aty, ju siguroj. Për besë nuk e di. Edhe si kryetar i Qeverise bukur e ke problem me i thënë një të afërti mos konkuroni kërkun, se është marre ashtu as nuk e ki atë të drejtë, tjetër është që e keqpërdor”, kishte thënë lideri i AAK-së.

Kryeministri në dorëheqje, Haradinaj ka thënë se Kosovës i duhet një gjyqësor kredibil që garanton kualitetin.

“Na vynë me shku më përpara edhe me gjyqësor kredibil, për shkak se duhet me fituar oferta më e mirë, kualiteti më i mirë  dhe cilësia më e mirë e jo me dominuar instrumente të tjera”, tha ai në hapjen zyrtare të festivalit të rrushit në komunën e Rahovecit.

Kryeminsitri në detyrë ka thënë se fokusi duhet të jetë ekonomia dhe biznesi.

“Është me rëndësi të mbetemi të fokusuar të politikat fiskale, lirimet tatimore, te përkrahja e fermerëve, vreshtarëve e pemëtarëve, për shkak se nëse mbesim në këtë fokusim, atëherë vetvetiu do të kemi më shumë rezultate. E vërtetë është se deri më tani ka rezultate. Në Rahovec e gjejmë një model të njerëzve që punojnë në bazë të punës,  pra me punën e vetë i kanë krijuar këto vlera dhe institucionet në të ardhmen duhet t’i përkrahin njerëzit e suksesshëm të Rahovecit. Urime HardhFesti”, tha Haradinaj.