Foto: Ilustrim

Kultivoi 280 bimë kanabis bashkë me babain e tij, arrestohet 34-vjeçari

Një 34-vjeçar u vu nën pranga pasi dyshohet se kultivoi 280 bimë kanabis, në dy sera, në fshatin Larushk, Fushë Krujë në vitin 2021, si dhe në banesë iu gjetën 5 kilogramë kanabis.

Policia e Shtetit ka njoftuar se i dyshuari ishte i kërkuar prej vitit 2021.

Gjatë një operacioni të zhvilluar në qershor të vitit 2021, për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, në afërsi të banesës së tij, në Larushk, janë gjetur të kultivuara në dy sera, 280 bimë narkotike cannabis sativa, të cilat dyshohet se 34-vjeçari i kishte kultivuar në bashkëpunim me babanë e tij.

Gjykata e Shkallës së Parë Krujë i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, të kryera në bashkëpunim.

Gjithashtu, në banesën e këtyre dy shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi prej 5 kilogramë lëndë bimore të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.