Flamuri i Ukrainës - Foto: Faqja zyrtare e Presidencës ukrainase

Kuleba: Asnjë përparim për armëpushim

Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba, pas takimit me Ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, tha se në takim nuk ua arrit ndonjë përparim sa i takon armëpushimit.

Ministri Kuleba, thotë se shpreson se Rusia do të lejojë funksionimin e korridoreve humanitare.

Ai tha se është i gatshëm për takime të tjera në të ardhmen.

“Dua ta përsëris se Ukraina nuk do që të dorëzohet dhe nuk do të dorëzohet”, tha ai.

Ndërkohë ministri i jashtëm rus, Sergeri Lavrov, tha se Rusia është e gatshme të diskutojë me Ukrainën për garanci në çështje të sigurisë.

Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt, ky është takimi i parë i ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, dhe homologut të tij ukrainas, Dmytro Kuleba.

Takimi pason një ditë të gjatë të luftimeve në Ukrainë, ku si pasojë e bombardimit të një materniteti dhe klinike të fëmijëve, u vranë tre persona ndërsa u plagosën 17 të tjerë.

Autoritetet e Mariupolit njoftuan se në mesin e viktimave ishte një fëmijë.

Rusia e filloi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Që nga ajo kohë kanë humbur jetën qindra njerëz.

Pavarësisht sanksioneve ndaj Rusisë, kjo e fundit nuk është duke u zmbrapsur dhe po vazhdon aksionin e saj ushtarak brenda territorit të Ukrainës./REL