Kukës, arrestohet në flagrancë i dyshuari për falsifikim të pasaportave dhe vizave

Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arrestuar në flagrancë një person të dyshuar për falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave dhe vizave.

Sipas njoftimit, Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës kanë arrestuar të dyshuarin K. A., 42 vjeçar, nga Kukësi, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në banesë, janë gjetur dhe sekuestruar dy dokumente identifikimi italiane me gjeneralitetet dhe fotografinë e tij, të dyshuara të falsifikuara.

“Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”. Drejtoria Vendore e Policisë Kukës do të vijojë punën për goditjen e paligjshmërisë, ndaj fton qytetarët e qarkut për të denoncuar çdo rast të paligjshmërisë në nr. 129, në aplikacionin “Komisariati Dixhital” ose në faqen zyrtare të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e profesional”, thuhet në njoftimin e policisë.