Foto: Policia e Stetit të Shqipërisë/Facebook

Kukës, arrestohet babai, e bija e denoncoi për dhunë

Policia e Shtetit njofton se kanë arrestuar një person në fshatin Lojme të Kukësit, pasi dyshohet se në mënyrë të përsëritur, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj vajzës së tij.

Sipas njoftimit, 14 vjeçarja kishte bërë kallëzimin ndaj të dyshuarit.

Në njoftim është bërë e ditur se i dyshuari gjithashtu është arrestuar për shkak se dyshohet të ketë kryer veprat penale “Dhuna në familje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”.

Policia e Shtetit gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit ka sekuestruar një armë zjarri, një armë gjahu, municion luftarak dhe fidanë të dyshuar narkotikë.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri, një armë gjahu çifte, sasi municioni luftarak dhe disa fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, të kultivuar në gota plastike”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës.