Kujtohet Skënderbeu në 550 vjetorin e vdekjes së tij

Me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fakulteti i Edukimit dhe Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, kanë organizuar manifestimin “Ditët e Skënderbeut”.

Rektori i Universitetit të Prishtinës Marjan Dema, tha se aktiviteti “Ditët e Skënderbeut”, është i nevojshëm për të na e kujtuar edhe njëherë madhështinë e tij.

Sipas rektorit Dema, Gjergj Kastrioti Skënderbeu duhet të qëndrojë si një udhërrëfyes për brezat e rinj.

“Ai me madhështinë e tij arriti t`i bashkojë të gjitha fiset shqiptare kundër otomanëve”, tha Dema.

Sipas tij, gjithmonë duhet të mundohemi ta ruajmë frymën Kastriotiane.

“Kemi tentuar që frymën kastriotiane ta rijetojmë duke vendosur interesin e përgjithshëm para interesit personal, ashtu siç ka bërë Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe kur Universiteti i Prishtinës është mirë atëherë edhe Kosova është mirë”, tha ai.

Ndërsa ish presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, tha se ishte nderë i veçantë për të, të  marrë pjesë në këtë ngjarje të përvjetorit jubilar të Skënderbeut.

“Ne si popull pavarësisht se ku jemi, në gjithë rrjedhat e rënda të historisë, Skënderbeu mbetet shembulli unikal i bashkimit të shqiptarëve. Ai ishte njeriu që krahas sfidave të mëdha që kishte, arriti të gjejë guxim”, u shpreh Sejdiu .

Sipas tij, Skënderbeu është i pa-përsëritshëm dhe gjithmonë duhet ta gjejmë atë brenda nesh.

“Ta gjejmë atë si një lider shteti i cili arriti sikur burrështetasit e vendeve të tjera që ta forcojë ushtrinë dhe vendin e tij”, tha ai.

Ai uroi që kujtimet e shkrimet për Skënderbeun të jenë të begata.

Ish presidenti Sejdiu bëri thirrje që të punojmë shumë, në mënyrë që vendi ynë të jetë më i dashur e atraktiv.

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Gashi, tha se e kaluara nuk ka vdekur, por është në mesin tonë qoftë edhe në mënyrë historike.

Gashi, luftërat e shqiptarëve i cilësoi si lumenj të epokave,  që rrjedhin pa u ndalur.

“Në këtë përvjetor historie dhe krenarie kombëtare sërish sikur kur e dëgjojmë jehonën e pushtimit Skënderbejan, për më shumë  unitet kombëtarë, për bashkërenditjen e veprimeve tona  mbarëkombëtare, në të mirë të kombit e të brezave të sotëm”, tha ai.