Kujtohet masakra e kryer nga forcat serbe në Lubeniq të Pejës

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka kujtuar viktimat e masakrës së Lubeniqit të Pejës, të kryer nga forcat serbe 21 vjet më parë.

Më 1 prill 1999 në Lubeniq u vranë mbi 80 civilë, në mesin e tyre fëmijë, gra, burra e të moshuar.

“Sot, 21 vite pas gjenocidit që është kryer në fshatin Lybeniq, kujtoj të gjithë ata të pafajshëm të cilët u flijuan në mënyrat më mizore. Nder e respekt për dëshmorët e martirët e rënë”, ka thënë kryetari Muhaxheri.

Në orët e hershme të mëngjesit të 1 prillit 1999, njësitë paramilitare serbe nën drejtimin e grupit “Çakejt”, rrethuan dhe më pas hynë në brendi të fshatit, ku vranë 80 civilë, disa prej të cilëve edhe i dogjën.