Kujtohet Françesk Anton Santori në 200 vjetorin e lindjes

Shkrimtari dhe studiuesi arbëresh, Françesk Anton Santori, mbetet një prej emrave më të njohur të letërsisë romantike shqiptare, në veçanti asaj arbëreshe. Por, shumë pak njihet opusi krijuesi i këtij shkrimtari.

Santori njihet si autori i parë i dramës, romanit, por edhe i tragjedisë shqiptare.

Këto konkludime për krijimtarinë e Santorit dolën gjatë tryezës “200 vjetori i lindjes së Anton Santorit”, që u mbajt sot në Prishtinës, në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën dhe Letërsinë Shqiptare.

Anton Nikë Berisha dhe Sali Bashota përmes kumtesave të tyre gjatë kësaj tryeze sollën kontributin letrar dhe shkencor të Santorit.

Gjatë prezantimit të kumtesës së tij, “Disa veçori poetike të ‘Këngëtores arbërore’”, Berisha ka pohuar se vepra e Santorit është pak e njohur por edhe e studiuar dhe se ka lënë mbi 3000 faqe në dorëshkrim.

Sipas tij, edhe ato që janë botuar janë bërë me shumë gabime, nga përkthyes dhe studiues të cilët nuk kanë pasur njohuritë e bollshme sa i përket gjuhës arbëreshe.

Pasi, siç ka thënë Berisha, veprat e tija,  Santori i shkroi në gjuhën që flitej në vendbanimin e tij arbëresh.

Santori, ka thënë më tej Berisha, është themeluesi i pesë llojeve letrare në letërsinë shqipe.

“Françesk Anton Santori ishte krijues që dinte pse shkruante dhe dinte të shkruante, vepra e tillë ka bërë që shumë koncepte letrare të përmbysen”, ka thënë studiuesi Anton Nikë Berisha.

Ndërkaq Sali Bashota, studiues, profesor në Universitetin e Prishtinës, ka pohuar ndër të tjera se letërsia arbëreshe në përgjithësi, por edhe ajo e krijuar nga Santori në veçanti, përveç se është pak e botuar dhe shumë më pak e njohur, ajo në shumë raste është keqinterpretuar dhe e keqpërshtatur në gjuhën e sotme shqipe.

“Studiuesit në radhë të parë të institucioneve në bashkëpunim me specialistë të letërsisë nga Italia mund të bëjnë shumë për veprën e Santorit, por edhe studiues tjerë arbëreshë”, ka thënë Bashota.

Në kumtesën e tij, “Në 200 vjetorin e Santorit”, Bashota ka folur edhe për veprën lirike “Këngëtorja arbërore”, dramën ‘Emira” që njihet si drama e parë shqipe.

Sipas Bashotës, krijimtaria e Santorit  konsiderohet më e larmishmja dhe prodhimtarja në gjithë romantizmin shqiptar.

Përveç tryezës për Santorin gjatë ditës së sotme në kuadër të seminarit ka vazhduar prezantimin i doktorantëve në kuadër të sesionit të tyre dhe kurset e gjuhës në tri nivele për pjesëmarrësit e huaj në Seminar.

Seminari i shqipes do të mbyllet më 30 gusht dhe në dy ditët e fundit të tij do të mbahen sesionet shkencore.