Kujdes: Në Gjilan e Prishtinë është shpërndarë virusi Salmonella

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë thirrje te qytetarët të kenë kujdes me gatimin, ruajtjen dhe shpërndarjen e ushqimit.

Instituti ka bërë të ditur se këtë javë janë ballafaquar me epideminë me Salmonela në Gjilan dhe helmimi me ushqim në Prishtinë.

Instituti ka bërë thirrje që të mos konsumohet ushqimi në vende që nuk kanë pastërtinë e duhur.

“Qytetarë të pafajshëm për shkak të konsumimit të ushqimit të kontaminuar kanë përfunduar në spital të cilët falë përkujdesjes së ekipit të mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në komunikatën e IKShPK-së.

Instituti Kombëtar po ashtu ka rekomanduar që qytetarët të shmangin konsumimin e mishit të papërpunuar termikisht, shmangie e vezëve të freskëta, si majoneza, soset e ndryshme, konsumimin e qumështit të pasterizuar ose të zier, shmangie e konsumimit të djathit të freskët nga qumështi jo i pasterizuar ose zier, frutat dhe perimet të lahen me ujë të bollshëm, nuk preferohet konsumimi i ushqimit që ka qëndruar jashtë frigoriferit për më shumë se 2 orë, të shmanget ushqimi i ngrirë, i cili është shkrirë duhet të konsumohet sa më shpejt ose të hidhet. Nuk duhet të ringrihet.

Duart duhet të lahen dhe thahen: para se të filloni të përgatisni ushqimin, pasi të prekni mishin e freskët, peshkun, vezët ose perimet, pas përdorimit të tualetit, pasi të pastroni hundën, pasi të prekni një kafshë, pasi të prekni ndonjë plagë apo prerje në trup.

Shenjat dhe simptomat e mundshme përfshijnë: Përzierje, të vjella, dhimbje barku, diarre, dridhje, dhimbje koke, gjaku në jashtëqitje, ngërçe në stomak, dhimbje muskulore.