Policia e Shtetit- Tirane- Foto: Policia e Shtetit/Facebook

Kujdes gjatë vozitjes në Durrës, policia shton gjobat

Policia Rrugore e Durrësit ka shtuar masat e sigurisë për përballimin e fluksit gjatë sezonit turistik veror dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, janë shtuar kontrollet në kuadër të respektimit të rregullave, orientimit, këshillimit dhe ndëshkimit të personave që drejtojnë automjetet nën efektin e pijeve alkoolike dhe pa leje drejtimi.

“Gjatë fundjavës Specialistët e Qarkullimit Rrugor kanë arrestuar në flagrancë 9 shtetas, 5 prej të cilëve drejtonin automjetin në gjendje të dehur dhe 4 shtetas drejtonin automjetin të pa pajisur me leje drejtimi”, njofton Policia e Shtetit.

Policia ka bërë të ditur se ka ndaluar gjithësej 1 mijë e 21 shofer, 15 prej të cilëve i’u është pezulluar leje drejtimi për drejtim të automjetit nën ndikimin e pijeve alkoolike.

Policia ka njoftuar se ka shqiptuar  56 gjoba për tejkalim të normave të shpejtësisë, 43 gjoba për mospërdorim të rripit të sigurimit,356 gjoba për parakalim të gabuar, dhe 341 gjoba për  përdorimin e aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit.

Policia e Shtetit ka njoftuar se edhe në ditët në vijim do të intensifikohet puna me qëllim rritjen e sigurisë rrugore si dhe këshillimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që nuk respektojnë rregullat e Qarkullimit Rrugor.