Kufizime të reja të orarit të punës për shkak të temperaturave të larta
Ministria e Shëndetësisë ka vendosur kufizime të reja për të shkurtuar orarin e punës për shkak të temperaturave të larta gjatë katër ditëve të ardhshme.
Masat e Ministrisë rekomandojnë ndryshimin e orarit për të shmangur kulmin e nxehtësisë prej orës 11 deri në 16, aplikimin e orarit fleksibël, që nënkupton lejimin e punëtorëve që të fillojnë punën më herët në mëngjes ose të punojnë nga shtëpia nëse ka mundësi.
Punëdhënësit obligohen që të lirojnë ose të lejojnë që të punojnë nga shtëpia shtatzënat dhe qytetarët me sëmundje kronike gjatë atyre orëve.
Punimet në sektorin e ndërtimtarisë, që janë të ekspozuara në diell, janë ndaluar prej orës 11:00 deri në 16:00.
“Të shpërndahen informacione përmes burimeve të informimit dhe broshurave e materialeve të tjera informuese për qytetarët për mënyrat e mbrojtjes nga nxehtësia. Të sigurohen kontrolle mjekësore për të punësuarit që tregojnë shenja të stresit nga nxehtësia dhe që i janë ekspozuar nxehtësisë ekstreme” – thuhet në njoftim të Ministrisë.
Për ata që merren me punët në bujqësi, thuhet që të planifikojnë zhvillimin e tyre në mëngjes herët ose pasdite vonë për të shmangur ekspozimin në nxehtësinë e madhe.
Këtë vendim Ministria e Shëndetësisë e ka marrë bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Ky vendim është marrë duke pasur parasysh praktikat më të mira për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve gjatë periudhave me temperatura të larta.
Instituti Hidrometereologjik i Kosovës (IHMK) ka paralajmëruar rritje të temperaturave gjatë kësaj jave që arrijnë në 36 gradë Celsius.
Kufizime të tilla, kjo Ministri ka vendosur edhe gjatë muajit të kaluar, për shkak të temperaturave të larta.
IKSHPK ka ripërsëritur disa këshilla për mbrojtje nga temperaturat e larta.
Masat e rekomanduara për parandalim dhe mbrojtje nga temperaturat e larta nga Insituti janë:
Përdorni ajrin e natës për të ftohur shtëpinë tuaj duke hapur dritaret në mbrëmje kur temperatura e jashtme është më e ulët se ajo e brendshme
Gjatë ditës kur temperaturat e jashtme janë më të larta se ato të brendshme, mbyllni dritaret dhe mbulojini ato me perde apo materiale që pengojnë rrezet e diellit të hyjnë drejtpërdrejt brenda.
Fikni sa më shumë pajisje elektrike
-Përdorni ventilatorë elektrikë vetëm kur temperaturat janë nën 40 ˚C
-Mbajeni trupin tuaj të freskët dhe të hidratuar
-Përdorni veshje të lehta dhe të lirshme, kryesisht nga pambuku..
-Bëni dush ose banjë të freskëta
-Lagni lëkurën tuaj duke përdorur një leckë të lagur, spërkatje ose veshje të lehta të lagura.
-Pini ujë rregullisht (1 gotë ujë në orë dhe të paktën 2-3 litra në ditë).
-Shmangni ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell gjatë orëve të pikut (11:00-17:00), duke kërkuar hije ose duke qëndruar brenda.