Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kuçi thotë se s’ka mjekë në Junik, Tofaj premton subvencione për mjekët që vijnë nga komunat e tjera

Kandidati për kryetar të Junikut, Agron Kuçi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se komuna e Junikut ka mungesë të mjekëve.

Kuçi deklaroi se aktualisht konkursi për 4 mjekë është i hapur por nuk ka kandidatë.

“Aktualisht kemi katër vende të lira të punës për mjekë, vazhdimisht shpallim konkurse. Është një sfidë sepse mjekët kanë shkuar në qendrat kryesore e jashtë Kosovës. Konkursi është i hapur por s’ka kandidatë”, tha ai.

Në anën tjetër Besart Tofaj nga Lëvizja Vetëvendosje i ftuar në Debat Pernime tha se do t’i subvencionojnë mjekët

“Do t’i subvencionojmë mjekët , t’ua paguajmë transportin për ata mjekë që mund të vijnë nga komunat e tjera. Nuk besoj që do të ketë pengesa ligjore sepse si komunë na lejohet përmes kategorisë së subvencioneve”, tha Tofaj.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Junikut diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Junikut, Agron Kuçi nga AAK; Besart Tofaj nga LVV dhe Ruzhdi Shehu nga LDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Junikut: Erleta Qestaj dhe Festina Maloku nga AAK; Lirjeta Shehu dhe Vjollca Qestaj nga LDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.