Blerim Kuçi. Foto: Fatrion Ibrahimi/KALLXO.com

Kuçi i përgjigjet Muhaxherit për projektin ‘Borea’: Nuk e kam ndalë asnjë projekt

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi i është përgjigjur deklarimeve të kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri në emisionin Jeta në Komunë, i cili pati thënë që “qinovnikat” e Prishtinës, duke aluduar tek ministria e Kuçit, nuk e kanë lënë ta realizoj projektin ‘Borea’.

Ministri Kuçi në intervistën e tij ka thënë se kryetarit të Komunës së Pjës nuk ia ka ndalur asnjë projekt.

“Nuk ia kam nal asnjë projekt, po janë në fazën ashtu qysh është memorandumi i ndërtimeve, duhet me i thanë çdo kryetari të komunave, ne jemi duke bërë shkurtime që projekteve që sot i kemi të cilat nuk kanë nisë, të cilat nuk janë zotuar ose e kemi informatën që nuk kanë me i përfundu sivjet, jemi duke i marr qato buxhete me i qu drejtë rimëkëmbjes”, tha Kuçi.

Për mos përmbushjen e premtimit për parkun ‘Borea’ kryetari Muhaxheri kishte fajësuar Ministrinë e Planifikimit Hapësinor për zvarritje.

“Muj me iu kërku falje qytetarëve se u kam thonë që ‘qinovnikat’ e Prishtinës nuk kanë me vendos për Borean. Po më vjen keq që prapë po vendosin ‘qinovnikat’ e Prishtinës. Në Ministrinë e Ambientit, konzorciumi fitues kur e ka bërë vlerësimin e ndikimit në mjedis i është kthyer përgjigjja se është pezulluar vlerësimi i tyre për shkak se parku nacional “Bjeshkët e Nemuna’ nuk ka zonim”, ka thënë ai në debatin “Jeta në Komunë”.

Parku Borea në Pejë ishte premtuar edhe nga partia e ministrit Kuçi – AAK, në fushatën e zgjedhjeve të kaluara.

Deputeti Daut Haradinaj në debat pernime kishte deklaruar se AAK-ja do të inisitojë që parku Borea të bëhet.

Kush janë “qinovnikat” e Prishtinës që s’po e lënë Gazmend Muhaxherin t’i realizojë projektet?