Flamuri i Kubës, Foto: Pixabay
Kuba nis bisedimet me SHBA-në pasi bllokada e naftës po e bën të veten
Kuba ka nisur bisedimet me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka konfirmuar të premten (13.03.2026) presidenti Miguel Diaz-Canel, ndërsa bllokada e naftës e vendosur nga presidenti amerikan, Donald Trump, po e zhyt shtetin e drejtuar nga komunistët më thellë në krizë ekonomike, raporton Reuters.
“Këto bisedime kanë synuar gjetjen e zgjidhjeve nëpërmjet dialogut për dallimet dypalëshe që kemi midis dy shteteve”, ka deklaruar Diaz-Canel në një video të transmetuar në televizionin shtetëror.
Diaz-Canel ka thënë se shpreson se negociatat do t’i shmangnin dy rivalët e hershëm “larg përballjes”.
Kuba po thellohet gjithnjë e më shumë në situatë dëshpëruese. Qytetarët e shtetit të Karaibeve, tashmë të rraskapitur nga vitet e krizës ekonomike dhe mungesave, tani jetojnë shumicën e ditëve të tyre pa energji elektrike. Rritja e çmimeve, mungesa e karburantit dhe ilaçeve e racionuar ashpërsisht i kanë zhytur shumë njerëz në krizë.
Qyshse SHBA-ja kapi presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe larguan nga pushteti mbështetësin më të rëndësishëm të huaj të Kubës në janar, Trump ia ka ndërprerë dërgesat e naftës venezuelase Kubës dhe ka kërcënuar me vendosje tarifash për çdo vend që i shet naftë Kubës.
Trump javëve të fundit ka bërë një mori deklaratash, duke thënë se Kuba është në prag të kolapsit, ose e etur për të marrëveshje me Shtetet e Bashkuara. Ai ka thënë të hënën se Kuba mund të jetë subjekt i një “pushtimi miqësor”, pastaj shtoi, “mund të mos jetë një pushtim miqësor”.
Kubanët në rrugët e Havanës e mirëpritën lajmin si zgjidhje të mundshme për ndërprerjet e energjisë elektrike, të cilat këtë javë provokuan protesta në të cilat Reuters ka parë banorët e Havanës duke rrahur tenxheret e kuzhinës në errësirë.
“Ne jemi tashmë të mbingarkuar, nuk mund ta durojmë më këtë situatë dhe mendoj se këto bisedime ndërmjet Kubës dhe Shteteve të Bashkuara duhet të çojnë në situatë më të mirë”, ka thënë Yaimi Gonzalez, një shtëpiake 44-vjeçare.
Kuba ka thënë se është e interesuar të zhvillojë bisedime “mbi bazën e barazisë dhe respektit për sistemet politike të dy shteteve dhe për sovranitetin dhe vetëvendosjen e qeverive tona”, ka thënë presidenti Diaz-Canel.
Por ai e bëri të qartë në komentet e tij të premten se bllokada e naftës po jepte pasojat e veta.
Asnjë litër karburant nuk ka hyrë në Kubë prej tre muajsh, ka thënë Diaz-Canel në një konferencë shtypi për mediat kubane të premten, duke rezultuar në një rënie të rezervave të naftës që e kanë bërë rrjetin elektrik të Kubës gjithnjë e më “të paqëndrueshëm”, ka thënë ai.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com