Flamuri i Kubës, Foto: Pixabay

Kuba do të lirojë të burgosur, pas hapit të SHBA-së

Qeveria kubane ka njoftuar lirimin e qindra të arrestuarve. Ky është një reagim i drejtpërdrejtë ndaj Vendimit të Qeverisë amerikane për ta hequr shtetin socialist nga lista e vendeve terroriste.

Pas njoftimit të një përfaqësuesi të Qeverisë amerikane për heqjen e Kubës nga lista amerikane e vendeve terroriste, Havana ka folur për lirimin e qindra të burgosurve. Presidenti Miguel Diaz-Canel njoftoi një Vendim “për t’u dhënë liri 553 personave të dënuar siç duhet për krime të ndryshme” – tha Ministria e Jashtme Kubane.

Sipas Ministrisë së Jashtme Kubane lirimi do të bëhet gradualisht. Për momentin nuk dihen emrat e të burgosurve kubanë të cilët do të lirohen.

Havana e mirëpriti njoftimin e SHBA-së për heqjen e listës terroriste, si një hap në drejtimin e duhur. Megjithatë, bllokada e SHBA-së kundër vendit të tij mbetet në fuqi – tha ministri i Jashtëm Bruno Rodriguez, duke iu referuar embargos së madhe amerikane të vendosur ndaj shtetit komunist të Karaibeve, që nga viti 1962.

Heqja nga lista amerikane e terrorizmit

Sipas një zyrtari qeveritar, presidenti amerikan Joe Biden kishte vendosur më parë të hiqte Kubën nga lista amerikane e shteteve sponsorizuese të terrorizmit. Siç tha përfaqësuesi i Qeverisë në Uashington të martën, më 14.01.2025, ky “gjest i vullnetit të mirë” duhet të ndihmojë negociatat për lirimin e një “numri të konsiderueshëm të të burgosurve politikë”.

Shpresohet se lirimi të ndodhë përpara se Donald Trump, Partia Republikane e të cilit tradicionalisht mban një linjë të ashpër kundër autoriteteve në Kubën komuniste të marrë detyrën të hënën e ardhshme, më 13.01.2025.

Katër vjet më parë, Trump e vendosi Kubën në listën amerikane të vendeve që mbështesin terrorizmin, ku përfshihen edhe Siria, Irani dhe Koreja e Veriut. Pas marrjes së detyrës, ai mund ta ndryshojë menjëherë Vendimin e Biden-it.

Dënime me burg për pjesëmarrje në protesta

Vendimi për Lirimin e të burgosurve është pjesë e një Marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Kisha Katolike. Ai ka të bëjë kryesisht me personat e arrestuar gjatë protestave antiqeveritare të verës 2021 në Kubë.

Sipas shifrave zyrtare, rreth 500 persona janë dënuar në Kubë me burgim deri në 25 vjet, për pjesëmarrjen e tyre në protestat e 11 – 12.07.2021. Këto ishin demonstratat më të mëdha kundër Qeverisë së Havanës, që nga Revolucioni Kuban i vitit 1959./DW