Ku u gabua në mbrojtjen e 35-vjeçares dhe bebes së saj?

Burra e gra të shtetit janë mbledhur sot që nga mëngjesi për ta analizuar situatën se si erdhi deri te vrasja e 35-vjeçares e kush ishin shkaktarët që na sollën në këtë situatë.

Për një profesionist kur lexon analizën prej kryeministrit e deri tek analiza e Prokurorisë për rastin sërish dëshpërimi është i madh. Rruga për t’i mbrojtur gratë është në qorrsokak e padijenia profesionale që ka mbërthyer vendin rrezikon ta përkeqësojë edhe më shumë atë.

Është dëshpëruese kur e sheh që grupi që i ka rekomanduar kryeministrit ndryshime as nuk i ka kuptuar gabimet elementare që janë bërë në këtë rast. Është dëshpëruese kur e lexon që kryeministri mjaftohet vetëm me dorëheqje në një rast që dikush duhet të shkojë në burg.

Gabimi është i madh kur të gjitha kanë përfunduar me konstatimin se do inspektohet puna, e cila, në fakt, në procedura standarde ka gabime në hapa në mënyrën se si funksionon hetimi dhe trajtimi i parë.

Ku janë gabimet? 

Gabimi i parë: Viktima ka denoncuar rastin më 6 korrik 2022. Ajo kishte denoncuar kërcënim, dhunë psikike e fizike nga bashkëshorti i saj. Sipas raporteve viktima ishte ekzaminuar nga mjeku kujdestar, i cili nuk kishte parë shenja dhune në trupin e saj.

Raporti tregon që viktima nuk është dërguar te psikiatri për të parë efektet e dhunës psikologjike apo te gjinekologu për të parë nëse ka pasur dhunë seksuale ndaj saj. Madje, sipas standardit të ri, ekspertiza do duhej të kryhej nga një mjekoligjor por ky standard nuk është zbatuar.

Gabimi i dytë: Gabimi i dytë është edhe më fatal. Edhe Policia, edhe prokurori në këtë rast kanë identifikuar një viktimë të kërcënimit. Dosja tregon që në këtë rast kishte të paktën dy viktima të kërcënimit: gruaja dhe burri i motrës së gruas. Ai nuk është shënuar fare në dosje si viktimë edhe pse kërcënuesi ishte zotuar se do e vriste atë.

Shumëkujt do i duket e pazakontë kjo për një hetim mirëpo për procedurën është shumë e rëndësishme. Nëse i kërcënon dy veta atëherë rreziku që të qëndrosh në burg është shumë më i madh. Mungesa e kreativitetit të policit e prokurorit për të identifikuar viktimën e dytë e liroi nga burgu personin që kreu vrasjen. Si rrjedhojë, aktakuza shkoi vetëm me një viktimë e edhe vendimmarrja u bë duke e përjashtuar viktimën e dytë të kërcënuar.

Gabimi i tretë: Viktima ka deklaruar në Polici se burri i saj ka armë. Policia dhe Prokuroria i besojnë kryesit në deklaratë se ai nuk ka armë, ndërsa në data-bazë të tyre kanë të regjistruar se familja ka një armë me leje. Kjo tregon që askush nuk është lodhur të futet në data-bazën e MPB-së për t’i kontrolluar nëse kjo familje ka armë apo kanë pasur armë në të kaluarën. Shtëpia u bastis pas më shumë se dhjetë ditësh dhe aty u gjetën dy armë.

Gabimi i katërt: Kur një i pandehur gënjen para gjykatës apo prokurorisë kjo krijon një rrethanë të mungesës së sinqeritetit. I dyshuari në këtë rast kishte gënjyer se kishte armë dhe prokuroria e kishte konstatuar se ai kishte armë. Kjo do duhej të ishte bazë e mjaftueshme që ai të paraburgosej. Kjo rrethanë u injorua dhe kryesi u la i lirë.

Gabimi i pestë; Asnjë dëshmitar që do e rëndonte situatën e kryesit nuk është marrë në pyetje. Nuk janë marrë fqinjët apo familjarët për të parë nëse çifti kishin probleme.

Gabimi i gjashtë: Prokurori dhe Policia nuk arrijnë të zgjerojnë hetimin në drejtim të personave të tjerë, të cilët sipas deklaratës së viktimës, i kishin mundësuar personit të kryente veprën në vazhdimësi. Nëna e dorasit përshkruhet si person që kishte shoqëruar në vazhdimësi gruan kur ajo po shkonte te familja e saj. Në këtë situatë ajo më së paku kishte ofruar ndihmë për të kryer një vepër të tillë penale.

Gabimi i shtatë: Policia dhe Prokuroria në ditët e para kishin dështuar të kryenin një test të rëndësishëm për personat të cilët kryejnë kërcënime të tilla. Ata nuk e kishin dërguar personin te një psikiatër për të kryer analizën nëse ai ishte në gjendje të mirë me shëndetin mendor. Një pretendim që dikush do bëjë seks me gruan para baxhanakut dhe më pas do e vrasë atë do të duhej të trajtohej edhe prej psikiatrit.

Gabimi i tetë: Institucionet duket se nuk kishin fare informacione inteligjente se çka po ndodhte me rastin. Viktima kishte premtuar që do ia dorëzonte dorasit fëmijën në ditën e parë të lindjes. Këtu u huq edhe një vepër penale –  ajo e detyrimit.

Këto janë gabimet që mund të gjenden vetëm me një lexim të thjeshtë të deklaratës së Prokurorisë, deklaratës së kryeministrit dhe një pjese të dosjes.

Lista e problemeve e gabimeve është e gjatë në shëndetësi, kujdes social e mirëqenien sociale të kësaj familjeje. Ato duhet më shumë kohë për t’i trajtuar.