Flamuri i Kosovës dhe ai i BE-së - Foto: REL/AFP

Ku gaboi BE në raport me Kosovën, sipas eurodeputetes Von Cramon?

Raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, Viola Von Cramon, ka folur rreth asaj se çka ka vepruar keq Bashkimi Europian në raport me Kosovën.

Cramon ka thënë se BE është përqendruar në dialogu Kosovë-Serbi, duke ‘harruar’ fusha të tjera.

“Ne gjithashtu kemi lënë pas dore shumë fusha të politikave dhe jemi përqendruar shumë në dialogun me Beogradin. Ne patjetër që duhet ta zgjidhim këtë çështje, e cila është problemi i vetëm më i madh në rajon, por duket se ndonjëherë harrojmë aspektet e tjera të jetës, politika të cilat prekin jetën e përditshme të njerëzve”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

Eurodeputeteja po ashtu ka përmendur korrupsionin, duke thënë që gabimi i BE-së në Kosovë është se nuk ka kërkuar hapa më të ashpër për luftimin e kësaj dukurie.

“Korrupsioni është një problem i madh në të gjithë rajonin dhe ne nuk kërkuam rregulla më të rrepta dhe hapa më të ashpër në luftën kundër korrupsionit, edhe pse në programet ku paratë vijnë direkt nga buxheti i BE-së, ne patëm shanse ta bënim atë”, ka thënë ajo.

Von Cramon në një përgjigje për KALLXO.com ka ngritur shqetësimin edhe për politikat mjedisore, duke thënë që as këtu Bashkimi Europian nuk ka bërë sa duhet.

“Le të themi politika mjedisore, ndryshimi i klimës dhe energjia. Kosova i është bashkuar Traktatit të Komunitetit të Energjisë, është regjistruar vullnetarisht për të ulur emetimin e tij të ndotësve, ato nuk përputhen, cilësia e ajrit është e tmerrshme, sidomos tani gjatë sezonit të ngrohjes, ndotja e ajrit fjalë për fjalë vret njerëz, por BE nuk mund të bëjë gjithçka, sepse nuk e kemi harmonizuar traktatin me ndonjë ndëshkim të mundshëm. Të gjitha këto janë raste të humbura”, ka thënë ajo.