Aksioni i LVV-së para objektit të Komunës së Mitrovicës së Jugut | Foto: Arbnora Pllana/KALLXO.com Foto: Arbnora Pllana/ KALLXO.com

‘Ku është Bedri Hamza?’ – LVV në Mitrovicë të Jugut me aksion para Komunës

Lëvizja Vetëvendosje në Mitrovicë të Jugut ka realizuar një aksion simbolik para objektit të Komunës.

Kryetari Qendrës së LVV-së në Mitrovicë, Armend Muja së bashku me asamblistë të kësaj partie në Mitrovicë dhe deputeten Arjeta Fejza vendosën një mbishkrimin në hapësirat e objektit të Komunës – “Mitrovica pa kryetar- Ku është Bedri Hamza”.

Ndërsa seanca komunale e thirrur për t’u mbajtur sot, më 26.11.2024, është bojkotuar nga Lëvizja Vetëvendosje me arsyetimin se kryetari i tanishëm i Mitrovicës së Jugut, nuk ka qenë i pranishëm në debatin “Jeta në Komunë”.

“Pas diskutimit me grupin tonë dhe pas mungesës suaj në debatin “Jeta në Komunë” e shohim si një mos respekt ndaj asamblistëve dhe qytetarëve dhe një mos-përgjegjësi dhe dalje në debat” – ka thënë Mujka.

Ai tutje tha se “buzëqeshja juaj duket cinike dhe ndoshta edhe nuk po i bie mirë, mirëpo realiteti është se në një farë mënyre ju keni jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të komunës” –tha Mujka.

Ndërsa, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, tha se gjatë këtij mandati është munduar të bëjë përpjekje maksimale në raport me asamblistët.

“Zotëri Mujka gjatë gjithë këtij mandati kam bërë përpjekje maksimale dhe besoj se kam arritur me respektu secilin nga ju, jam shumë i bindur që edhe në disa momente të caktuar kam qenë shumë i kujdesshëm me asamblistët të cilët përfaqësojnë partitë opozitare” – tha Hamza.

Ai pretendon se i ka realizuar premtimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore.

“Unë vi me programin të cilin kam garuar, nuk janë të dhëna të mija, janë të institucioneve të tjera ku del që jemi komuna që kemi përmbushur premtimet e dhëna” – ka shtuar Hamza.

Në debatin ‘Jeta në Komunë’, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza nuk ishte i pranishëm. Ai kishte dërguar në debat nënrkyetarin Arian Tahiri.

Aksioni i LVV-së para objektit të Komunës së Mitrovicës së Jugut | Foto: Arbnora Pllana/KALLXO.com

Aksioni i LVV-së para objektit të Komunës së Mitrovicës së Jugut | Foto: Arbnora Pllana/KALLXO.com