Kthimi në shkollë në Europën Qendrore ... me apo pa celularë  

Pavarësisht a do të paraqiten kufizimet të reja, apo do t’u lihet drejtorëve, mësimdhënësve dhe prindërve të merren me këtë çështje, qeveritë në Europën Qendrore po kanë telashe të vendosin çfarë roli, nëse kanë ndonjë, duhet të kenë celularët në shkollë

Budapest/Pragë, 28 gusht (BIRN) – Kur kuvendarët komunalë të Vsetinit, qytezë në Moravia, i mandatuan në korrik shkollat nën juridiksionin e tyre, që prej shtatorit t’i ndalojnë telefonat celularë gjatë gjithë orarit të shkollës, vendimi ndezi përsëri debatin e kahershëm.

Ministria çeke e Arsimit, që duket se kujdesshëm ka shmangur mbajtjen e qëndrimit të drejtpërdrejtë për thelbin e çështjes, deklaroi se lëvizja ishte defakto e pavlefshme, meqë vendimi ligjërisht ishte çështje e drejtorëve dhe bordeve të shkollave individuale, e jo kompetencë e komunës respektive.

“Ne mund të kemi një diskutim për opinionet ligjore për muaj me radhë, por edukimi fëmijëve dhe shëndeti i tyre mendor nuk presin”, reagoi kryetari i Vsetinit, Jiri Cunek.

Cunek u zotua se do ta mbante ndalesën në fuqi pavarësisht edhe nëse do të konsiderohej “hiperkritik”, duke u rekomanduar shkollave “vendosmërisht” që të kufizonin përdorimin e celularëve nga nxënësit në vend se t’i mandatojnë që të bashkëpunojnë me teknikalitetet legale.

Sipas ligjit çek, shkollave u lejohet të vendosin ndalesa ose kufizime të pjesshme për përdorimin e celularëve – megjithëse konfiskimi fizik i pajisjes mund të jetë ligjërisht çështje e ndërlikuar. Për mungesë të një qasjeje të unifikuar në mbarë vendin, kjo ka çuar drejt një mori masash të pabarabarta, duke nisur prej mjediseve krejtësisht të parregulluara deri te kufizimet e pjesshme (celularët lejohen vetëm në kohë të caktuar ose në vende të caktuar, por në disa raste edhe me ndalesa të plota.

Varësisht prej shkollës, fëmijëve mund t’u kërkohet t’i fikin celularët në fillim të procesit mësimor, t’i lënë në çanta ose t’i fusin në arkat e mbyllura.

“Inspektorati Çek i Arsimit(CSI) rekomandon që ndalesat shkollore të telefonave mobilë ose kufizimi i përdorimit i tyre në shkollë të bëhet vetëm me një dimension edukativ, dhe është e rëndësishme që nxënësit t’i kuptojnë arsyet për kufizimin”, ka thënë për BIRN-in Lucie Slejskova, analiste e shoqatës me fokus arsimin, EDUin. “Një marrëveshje e përbashkët ndërmjet shkollës, prindërve dhe nxënësve është ideale”, shton ajo, “por e dimë nga praktika se pikërisht prej kësaj buron problemi, sepse prindërit kanë opinione goxha të ndryshme për përdorimin e telefonave mobilë në shkollë”.

Debat i heshtur

Studimet kanë treguar se prindërit çekë nuk janë shumë të sigurt çfarë të bëhet me këtë punë, me disa syresh – sidomos prindërit më të rinj të cilët mund të kenë pasur celularë kur ishin vetë në shkollë – nuk tregojnë dashamirësi ndaj kufizimeve të tilla, duke i konsideruar si forma censurash me nuanca autoritare, si dhe si cenim të së drejtës së fëmijëve dhe kujdesit të tyre prindëror.

Eva, një nënë 44-vjeçare e dy fëmijëve në Pragë, nuk është prej atyre. “Absolutisht, ndalni telefonat!” – thekson ajo me entuziazëm. “Mësimdhënësit janë përgjegjës për çfarë ndodh gjatë orës mësimore”.

Në Sllovakinë fqinje, autoritetet kanë pasur qëndrim më të sertë ndaj kësaj çështjeje. Nga janar, celularët do të ndalohen krejtësisht në shkollat fillore prej klasës së parë, dhe mësimdhënësit do të lejohet të vendosin vetë çfarë masash do të marrin për nxënësit prej klasës së gjashtë.

Ministri sllovak i Arsimit, Tomas Drucker, ka cituar një hulumtim ndërkombëtar që ka treguar se “në një mjedis ku celularët nuk janë të rregulluar kurrqysh, fëmijët e kanë më të vështirë të përqendrohen dhe kanë rezultate më të dobëta”. Ai ka ngulmuar se masat e tij do të rezultojnë me “fëmijë më të zgjuar dhe të përgatitur më mirë për të ardhmen”.

Edhe mirë, edhe keq

Një raport shumëdimensional i UNESCO-s vjet dukej se mbështeste këtë pikëpamje, duke treguar ndikimin negativ të celularëve në përformancën akademike. Një studim ka vënë në pah se studentëve mund t’iu duhen deri në 20 minuta për t’u ripërqendruar pas marrjes së një njoftimi – e një tinejxher i merr mesatarisht nga 250 sosh, ose nga një në çdo katër minuta sa është i zgjuar.

Fëmijët çekë ndërmjet moshës tetë dhe pesëmbëdhjetëvjeçare kalojnë mesatarisht nga tri orë e gjysmë në ditë në celularë, që ngrit varësinë digjitale të lidhur me probleme në ngritje të madhe të shëndetit mendor në mesin e brezave më të rinj, duke shtuar se edhe janë kthyer në makinë për bullizim kibernetik dhe stigmë sociale.

Pavarësisht rreziqeve të dukshme, disave ende nuk u është mbushur mendja se ndalimi i plotë i celularëve – një lëvizje që shihet prej disave si “reflektim i pafuqisë së të rriturve” për t’u marrë me praninë e pashmangshme të teknologjisë digjitale – është shtegdalja.

Prej pikëpamjes politike, zbatimi i kufizimeve të tilla nuk është vendim i ngutshëm qysh duket. Nxënësit me karakter rebel gjithnjë do të gjejnë forma kreative për të shmangur ndalesën totale, dhe disa mësimdhënës të përshtatur me e-mësimdhënien mund të mbyllin njërin sy derisa nxënësit mundohen të shkelin masat.

“Në disa shkolla, kufizimi i celularëve nuk është problem, dhe shkollat kanë operuar kështu qe një kohë të gjatë”, ka thënë për BIRN-in Lucie Slejskova nga EDUin.

“Por në të tjerat, është tema e negociatave të vështira me drejtorët dhe betejë e vazhdueshme për të bërë dhe zbatuar rregulla”, shpjegon Slejskova, duke shtuar se disa prindër duan të kenë qasje të drejtpërdrejtë me fëmijën e tyre saherë të duan, “nuk hezitojnë të angazhojnë një avokat për të imponuar opinionin e tyre në shkollë”.

Gjithashtu të konsideruar shkaktarë të cenimit të aftësisë së fëmijëve për ndërveprim dhe shoqërim gjatë pushimeve ndërmjet orëve, për nxënësit më të izoluar mun dtë jenë burimi i tyre i vetëm për të ruajtur kontaktin gjatë ditës me një shok në shkollën tjetër, thonë ekspertët.

“Ndalimi nuk do të zgjidhte asgjë”, ka thënë psikologja e fëmijëve, Radka Kurilova. Duke folur për Seznam Spravy, Kurilova ka thënë se në vend të portretizimit të celularit si nëna e të gjitha të ligave, mësimdhënësit dhe prindërit duhet të kenë diskutim të hapur për të me fëmijët dhe nxënësit, të gjejnë shtegdalje për t’i përfshirë celularët për qëllime shkollore në orë dhe t’i mësojnë të rinjtë të jenë produktivë, të shoqërueshëm dhe të përqendruar edhe atëherë kur dëgjojnë një alarm njoftimi në celular – një shkathtësi qenësore nëse duan të jenë të përgatitur për pjekurinë moderne.

“Ne duhet t’i mësojmë fëmijët të jetojnë edhe me teknologji, edhe pa të; të marrin çfarë u duhet nga mali me informacione, por të injorojnë çfarë nuk është e domosdoshme”, thekson Manos Antoninis, drejtor i Monitorimin Botëror të Arsimit pranë UNESCO-s.

E ardhmja digjitale

Edhe para nxënësve sllovakë, bashkëmoshatarët e tyre hungarezë do të detyrohen të mësohen të jetojnë pa celularët e tyre – së paku për disa orë në ditë – kur të kthehen në shkollë më 2 shtator.Një dekret qeveritar i nxjerrë në gusht kufizon përdorimin e pajisjeve teknologjike në shkolla, por pak sa nuk e ndalon krejtësisht. Nga shtatori, nxënësit në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme do të duhet t’i dorëzojnë celularët e tyre në mëngjes dhe t’i marrin kur të kryejnë orën e fundit mësimore.

Megjithatë dekreti ka lënë derën çelë për mësimdhënësit që të vendosin pavarësisht nëse do t’i lejojnë celularët ose tabletat gjatë orëve për “qëllime mësimore”. Sesi do të funksionojë kjo në praktikë mbetet të shihet, por çfarë dihet mirëfilli është se do të ketë alamet punë administrative për t’u bërë.

Derisa në fillim të verës po diskutohej drafti i ligjit, Bence Retvari, sekretari shtetëror i Ministrisë së Brendshme (i cili është përgjegjës për raportimin për arsim), argumentoi – pak a shumë si homologu i tij në Bratislavë – se hulumtimi ndërkombëtar ka treguar se “përdorimi i celularëve ndikon negativisht te përqendrimi dhe përformanca e nxënësve në shkollë”, edhe nëse vetë pajisja nuk ndodhet në bankë, por vetëm në çanta shkolle.

Ai shkroi se pasi Ministria e Brendshme kishte konsultuar gjerësisht mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave, që të gjithë ishin ankuar se nxënësit po çorientoheshin prej celularëve gjatë mësimit, qeveria e ndiente detyrë që të vepronte dhe rregullonte këtë fushë.

Anketimet në Hungari tregojnë se, si në shumicën e vendeve më të zhvilluara, varësia nga celularët ka arritur nivele alarmuese. Në këtë vend me 9.8 milionë banorë, 82 për qind e nxënësve të moshave 7 deri 16 vjeç përdorin celularë, një e dhënë që shkonte deri në 97 për qind në mesin e fëmijëve mbi 13 vjeç.

Fëmijët e grupmoshës 8-15 vjeç kalojnë mesatarisht katër orë në ditë në celularë, dhe sa më të rritur, aq më shumë lidhen për ekrani. Fëmijët kanë një mesatare prej 76 aplikacionesh në celularët e tyre dhe shumica e tyre (60 për qind) i përdorin për media sociale, kryesisht TikTok (80 minuta në ditë), YouTube, Messenger dhe Instagram.

Shkollat, dhe sidomos mësimdhënësit e gjeneratave më të vjetra, po e kanë telash t’ia dalin mbanë. Disa syresh madje ia lënë fajin për rënien në renditjen e PISA-s përhapjes së pajisjeve digjitale. Përformanca e nxënësve hungarezë në testet ndërkombëtare të PISA-s ka shënuar rënie të madh në të tri kategoritë – lexim, matematikë dhe shkencë – prej vitit 2006, duke rënë theksueshëm poshtë mesatares së OECD-së. Rënia më e madhe ishte në të kuptuarit e leximit, që shumëkush beson se mund të jetë shenjë e humbjes së aftësisë për t’u përqendruar për më shumë se disa minuta pa shkëputje.

Dhe jo larg mendsh që shoqatat e mësimdhënësve, që zakonisht janë kritike ndaj qeverisë së Fideszit, po e përkrahin me të madhe kufizimin e celularëve. Megjithatë, Tamas Totyik, lider i sindikatës më të madhe të mësimdhënësve PSz, ka paralajmëruar se shumica e shkollave thjesht nuk janë të përgatitura që t’i ruajnë sigurt celularët, dhe që të marrin përgjegjësi për pajisjet e shtrenjta.

Organizatat e nxënësve në anën tjetër kanë ngritur shqetësimet e tyre dhe e shohin kufizimin si shenjë të qartë se qeveria – që drejtohet nga një kryeministër që e ka pranuar se ende përdor Nokia me butona – nuk ka haber me botën digjitale.

“Ne i përdorim pajisjet tona për teste dhe për mësim digjital”, kanë shkruar shumë organizata nxënësish në një letër të hapur për Zoltan Maruzsan, sekretarin shtetëror për arsim. Në të vërtetë, aplikacionet e njohur për mësim si Kahoot ose Quizlet tashmë janë integruar në proceset mësimore.

Organizatat e nxënësve kanë përqeshur edhe idenë që një qeveri që ka shpenzuar miliona për t’iu dhuruar tabletë dhe laptopë të rinj nxënësve për të zënë hapin për të mësuar materialet digjitale të shkollës, tani po mundohet të kufizojë përdorimin në klasë. “Kjo po na shkëput ne nga e ardhmja e jonë, që është digjitale”, kanë shkruar ata.

Ka një boshllëk moshe në ngritje ndërmjet deputetëve dhe nxënësve. Mësimdhënësit më të rinj thonë se pajisjet e avancuara mund të integrohen në klasë, porse u duhen materiale larg më të mira digjitale dhe se mbarë procesi kërkon veprim të baraspeshuar kujdesshëm.

“Nxënësit e sotshëm tashmë janë socializuar në një botë digjitale; sistemi i tyre nervor është krejt ndryshe prej më të rriturve. Nëse u ofrojmë atyre materiale dhe metoda që nuk përshtaten me botën e tyre, është si t’i dërgosh ata në një shkollë kineze, ku do të shihnin mësimdhënësit duke iu folur, por nuk do të merrnin vesh asnjë fjalë të vetme”, ka thënë për BIRN-in, Zsofia Mendrey, studente doktorate dhe mësimdhënëse historie në një shkollë Budapesti.

Por Mendrey e pranon se si mësimdhënëse, edhe ajo e ka nganjëherë të vështirë të mbajë hapin me botën online. “Pavarësisht çfarë bën ti si mësimdhënës në një klasë me 30 nxënës, nuk mund të mateni me një celular me Insta dhe Snapchat”, nxjerr dufin ajo.

Mendrey sugjeron tërheqjen e një linje ndarëse ndërmjet tabletëve që përdoren vetëm për mësim dhe celularëve për përdorim personal. Celularët do të mund të mbylleshin me dry në sallën e arsimtarëve gjatë orëve të mësimit dhe t’u kthehen nxënësve pas orës së fundit. Por jo të gjithë nxënësit e kanë fatin e bardhë që njëherësh të kenë edhe tablet, edhe celular (për qëllime personale).

Nxënësit e pyetur nga BIRN-i ngrehin supet dhe nuk duken shumë të shqetësuar për rregullimin e ri. “Nuk do të zbatohet. Nja një javë mbase, por shkollat nuk do ta kenë fuqinë dhe kapacitetin që ta zbatojnë përnjëmend. Nxënësit do të gjejnë mënyrë kreative për t’i mbajtur celularët e tyre”, ka thënë një nxënës me bindje të plotë.

Përktheu: Rexhep Maloku