Kthimi në normalitet dhe ndikimi në shëndetin mendor

Mungesa e përqafimeve, e shtrëngimit të duarve, e lëvizjes së lirë dhe izolimi i ka pamundësuar njerëzve të socializohen dhe të sillen normalisht me njëri-tjetrin.

Nga fillimi i qershorit, në Kosovë ka filluar lehtësimi gradual i masave mbrojtëse duke mundësuar në masë të madhe lirimin e lëvizjes.

Lirimi i masave ka bërë që njerëzit të rikthehen me sjellje të konstruktuara dhe të mundohen t’i përshtaten një realiteti të ri.

Sipas neuropsikiatrit Sami Rexhepi, gjendja pandemike nuk është se ka ndikuar negativisht tek të gjithë por e ka ndërruar mënyrën e sjelljes. Sipas tij, për t’i rikonstruktuar këto sjellje duhet një kohë e gjatë, për shkak se ende gjendemi në fazën akute të pandemisë.

 

 

“Gjithmonë kam qenë ithtar që risocializimit t’i referohemi si distancë fizike jo distancë sociale. Mirëpo në këto raportet sociale pas pandemisë domosdoshmërisht do të kemi ndryshim të sjelljes. Nuk do të ketë shtrëngim dore, përqafime, e mënyra tjera që e tregojnë afërsinë ose dashurinë ndaj dikujt tjetër. Të njëjtën mundemi me shpreh por pa afërsi fizike, dhe me një kujdes shumë më të madh sa i përket higjienës dhe kujdesit personal”, tha Rexhepi.

Ankthi, frika, pasiguria dhe mungesa e vetëbesimit janë disa nga problemet kryesore me të cilat janë ndeshur njerëzit gjatë karantinës dhe që mund të përballen pas lirimit të masave.

“Kjo gjendje ka ndikuar mjaft në rritjen e pasigurisë, frikës dhe ankthit. Mediumet e ndryshme të cilat me informatat e ndryshme, një pjesë e të cilave kanë qenë të pasakta, kanë shkaktuar frikë dhe jo thirrje për kujdes të shtuar ” tha neuropsikiatri.

Sipas tij  kategoria e shoqërisë e cila ka probleme me hipertensionin, zemrën, diabetin, krizat emocionale ose ata që janë në luftë me kancerin,  do ta kenë më vështirë ta rimarrin veten.

“Pjesa e shoqërisw e cila ka pas probleme ose kriza të ndryshme emocionale edhe para pandemisë to ta ketë shumë ma vështirë me e rimarrë veten. Ulja e vetëbesimit gjithmonë është e përcjellur më uljen e vetëvlerësimit. Dhe kur arrijmë në një fazë me vetëbesim shumë të ulët dhe ndjehemi si dështakë është momenti më i rëndë dhe më i dhimbshëm në kuptimin e dhimbjes shpirtërore. Këto momente jo rrallëherë mjerisht, munden edhe të përfundojnë me vetëvrasje” shpjegoi ai.

Sipas tij përpos anës negative, karantina ka pas edhe efekte pozitive.  Kjo kohë ka shërbyer për të forcuar kohezionin me familjen dhe ta rris  dozën e kreativitetit i cili është shprehur përmes artit. Artistët me anë të muzikës, artit kanë dërguar një mesazh të fuqishëm tek popullata duke i treguar se ata nuk janë vetëm.

“Duhet të i tregojmë që ata janë të vlefshëm, dhe se nuk janë vet. Kjo është ndihma më e madhe se çfarëdo terapi, në kuptimin e ilaqeve, se këto gjëra nuk kanë kutia të ilaqeve. Këto janë brenda neve, brenda shpirtit. Ky kujdes dhe dashuri janë pa para, ” inkurajoj Rexhepi.

Ndërsa për vetëvrasjet, ai tha që çrregullimet pas stresit post traumatik nuk kanë qenë shkaktarë të numrit të vetëvrasjeve, por ndjenja se kemi krijuar pritje të mëdha, dhe se  mbas pritjeve të mëdha vijnë dëshpërimet e mëdha dhe se ato i bëjnë njerëzit të ndjehen  si  dështakë. Sipas neuropsikiatrit aty është problemi ku individi e humb betejën.

“Nuk e kam problem me ju mbrojt prej tjerëve por e kam problem me ju mbrojt prej vetes. Nëse krejt funksionojmë duke u munduar t’i mbrojmë të gjithë prej vetes, do jemi shumëfunksional dhe se nuk do ta ndjejmë këtë distancim social apo më pak dashuri. Më shumë kujdes dhe më shumë dashuri” tha Rexhepi.

Sipas tij, për ta  tejkaluar këtë gjendje duhet ndihma e mediave, që ato ta qetësojnë situatën që edhe nëse shfaqen edhe  10 raste të reja me COVID-19 , mos të trajtohen si alarm paniku.

Qendra e Shëndetit Mendor vënë në dispozicion linjën telefonike pa pagesë 0800 88 881 në këshillimin e qytetarëve për çdo shqetësim rreth shëndetit mendor gjatë pandemisë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH)ofron udhëzime dhe këshilla gjatë pandemisë COVID-19 për punonjësit e shëndetit, menaxherët e institucioneve shëndetësore, njerëzit që janë në kërkim të fëmijëve, të moshuarve, njerëzve në izolim dhe anëtarëve të publikut në përgjithësi, për t’u kujdesur për shëndetin mendor.