'Kthimi në Kosovë’ - romani grafik që tregon për luftën e Kosovës

Shkrimtari dhe artisti kosovar, Gani Jakupi, ka folur për romanin e tij grafik ‘Kthimi në Kosovë’.

Në një intervistë në emisionin ‘Kallxo Pernime’, Jakupi ka bërë të ditur se romani fillimisht ka qenë në gjuhën spanjolle, ndërsa 8 vite pas botimit është përkthyer edhe në gjuhën shqipe.

Për shkak se gjendej në Francë gjatë luftës në Kosovë, Jakupi ka treguar se si erdhi ideja për shkrimin e këtij romani.

“Për shkak se dikush ishte interesu për fillim kur dul ajo, sepse kur është dalë ‘Kthimi në Kosovë’ në Francë, është fol për Kosovën përmes bombardimeve, është fol më shumë për Kosovën nëpër media franceze, spanjolle e italiane. Kështu që është mediazu shumë, është interesuar dikush këtu” – ka rrëfyer Jakupi.

Tutje, Jakupi ka thënë se librin në shqip nuk e ka përkthyer për të fituar nga shitja e tij, ndërsa ka thënë se libri është përkthyer përmes subvencioneve.

“Për nga ana komerciale e kuptoj, kjo nuk është libër me anë të cilit mundesh me bo pare. E tash e kam bo me financime me subvencione, edhe për shkak se ka qenë i ftuar edhe vizatuesi që është argjentinas, Horhe Gonzales” – ka thënë ai.

“Hollë e hollë libri flet për periudhën prej fillimit të luftës, e kam përshkru qysh e kam përjetuar luftën në distancë. Që po i bjen prej ’98-ës me fokus të veçantë në ’99-ën, për shkak se në ’99-ën kam qenë i mediatizun në Spanjë, kam qenë zëri i vetëm i shqiptarëve atje. Njëherë jam ardhë si gazetar, pastaj jam ardhë i kam udhëhequr OJQ-të spanjolle dhe herën e tretë jam ardhë personalisht sepse djali im është lindur gjatë Rambujesë. Për mua ka qenë e rëndësishme defilimi i UÇK-së para se të transformohet” – ka thënë Jakupi.