Ekipi olimpik i Kosovës për Lojërat Olimpike "Paris 2024". Foto: Kosovo Olympic Committee, Facebook
Kthehet në shtëpi me dy medalje, Kosova organizon pritje shtetërore për ekipin olimpik
Ekipi olimpik i Kosovës nesër, më 06.08.2024, do të kthehet në shtëpi me dy medalje olimpike.
Shteti i Kosovës ka organizuar pritje shtetërore për ekipin që përfaqësoi vendin në Lojërat Olimpike Paris 2024.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar që mbrëmja e 6 gushtit do t’i dedikohet festimit të arritjeve të tyre të jashtëzakonshme, punës së palodhur dhe medaljeve historike që kanë sjellë në shtëpi.
Ngjarja do të mbahet në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë.
“Sportistët tanë i kanë treguar botës fuqinë, vendosmërinë dhe talentin e Kosovës, duke na bërë të gjithëve krenarë”- njofton MKRS.
Kampionia olimpike Distria Krasniqi e fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 52 kilogramë në xhudo, ndërsa Laura Fazliu e fitoi medaljen e bronztë në debutimin e saj.
Fazliu triumfoi në kategorinë deri në 63 kilogramë për ta fituar medaljen e parë olimpike në karrierë.
Trajnere e Fazliut ishte kampionia kosovare Majlinda Kelmendi, e cila shkroi historinë e sportit kosovar kur e bë kampione olimpike në debutim në Lojërat Olimpike Rio 2016.
Ekipi olimpik i Kosovës përfaqësoi vendin në Paris me nëntë atletë në sporte si xhudo, not, atletikë dhe boks.
Medalje olimpike nuk arritën të marrin Hana Beiqi, Gresa Bakraçi, Adell Shaboviq, Nora Gjakova, Akil Gjakova, Loriana Kuka dhe Donjeta Sadiku.
Kosova e shënoi debutimin në vitin 2016 në Olimpiadën e Rios në Brazil dhe prej atëherë i ka fituar pesë medalje olimpike, tri të arta, një të argjendtë dhe një të bronztë, që të gjitha në xhudo.