Kthehet në punë polici i suspenduar-arrestuar nën dyshimet se kishte ngacmuar një grua në Lipjan

Javë më parë është kthyer në punë zyrtari policor me inicialet A. A., i cili vitin e kaluar ishte arrestuar dhe ka qenë në arrest shtëpiak për një rast të ngacmimit që dyshohet se ka ndodhur në Lipjan.

Në lidhje me vlerësimin e kthimit në punë të të njëjtit zyrtar policor KALLXO.com ka kërkuar sëarime nga ana e Policisë së Kosovës. Të njëjtit nuk janë përgjigjur. 

KALLXO.com ka kontaktuar me Inspektoratin Policor të Kosovës të cilët kanë dhënë shpjegimin e tyre për dhënien e rekomandimit për nderprerje të suspendimit. 

Sipas IPK-së vlerësimi ishte bërë duke u bazuar se ndaj të dyshuarit kishte përfunduar hetimi. 

“Zyrtari policor i dyshuar me datë 04.07.2021, me kërkesë të IPK-së është suspenduar, duke pasur parasysh interesin e hetimeve për ndriçimin e këtij rasti i cili ishte në fazën e hetimit, ndërsa me datë 25.10.2021, duke marr parasysh se hetimet në IPK kishin përfunduar ndaj të dyshuarit, atëherë Policisë së Kosovës i është përcjellë shkresa – rekomandimi për  ndërprerjen e  suspendimit me pagesë për zyrtarin policor”, thuhet në përgjigjet e IPK-së për KALLXO.com. 

Kujtojmë se i njëjti zyrtar policor ishte arrestuar në korrik të vitit të kaluar. 

Inspektorati Policor i Kosovës  në atë kohë kishte pranuar një informacion se në këtë stacion është paraqitur një qytetare, e cila kishte denoncuar një zyrtar policor me pretendimin se i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj dhe ishte kanosur nga i njëjti.

“IPK-ja me të pranuar këtë njoftim ka ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore, dhe në koordinim me Prokurorin Themelore Prishtinë, ndaj zyrtarit policor të lartcekur është parashtruar kallëzim penal në drejtim të veprës penale “Ngacmimi””, ka njoftuar IPK. 

I njëjti ishte ndaluar në atë kohë në ndalim 48 orësh ndërsa më pas gjykata kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak për një muaj. 

Në tetor të vitit të kaluar për të njëjtin ishte dhënë rekomandimi për nderprerje të suspendimit dhe tani është kthyer sërish në punë.

Arrestohet një polic, dyshohet për ngacmim