Qentë endacakë (Ilustrim)

Kthehet i kundërligjshëm vendimi i Komunës së Prishtinës për strehimoren e kafshëve

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë e ka kthyer të jashtëligjshme vendimin e Komunës së Prishtinës për caktimin e lokacionit të parcelës për strehimin e kafshëve.

Kjo Ministri ka konstatuar se hyrja e vendimit nuk është bazuar në ligjin për Planifikimin Hapësinor.

Kuvendit komunal të Prishtinës iu është kërkuar që të shikohet lokacioni i planifikuar sipas dokumenteve të planifikimit hapësinor në fuqi.

Po ashtu, në këtë vendim të MMPHI-së thuhet se nuk lejohet destinim tjetër nga ajo që është paraparë me dokumentet e planifikimit hapësinor pjesën tekstuale dhe grafike në fuqi.

Tutje kanë kërkuar nga Kuvendi Komunal dhe kryetari Përparim Rama që të ndërmarrin veprime konkrete që aktin e komunës t’a harmonizojnë me dispozitat ligjore me fuqi, brenda 30 ditësh nga data e pranimit të kërkesës për rishqyrtim të aktit. Vendimi i plotë është publikuar nga asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Këtë vendim, MMPHI-ja e kishte pranuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

KALLXO.com ka marrë një përgjigje nga Komuna e Prishtinës lidhur me këtë çështje.

Komuna e udhëhequr nga Përparim Rama ka deklaruar se në mbledhjen e radhës të kuvendit komunal është në pikë të rendit të ditës.

Pika e 16-të është “shqyrtimi i përgjigjes nga MAPL, lidhur me vendimin për caktimin e lokacionit të pronës së paluajtshme të Komunë së Prishtinës për strehimin e kafshëve”.

Sipas përgjigjes së Komunës, për këtë çështje do të vendos Kuvendi Komunal se a do ta marr për bazë raportin e vlerësimit nga MMPHI.​

“Në kushtet kur një Vendim kthehet në afatin kohor prej 15 ditësh, atëherë është në diskrecionin e Kuvendit Komunal që të vendos në lidhje me raportin e vlerësimit të Ministrisë, pas një arsyetimi teknik që do ta bëjë Drejtoria kompetente për planifikim, se ky caktim lokacion a është në përputhje me dokumentet e planifikimit hapësinor”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

Më 28 prill, Kuvendi Komunal i Prishtinës do të mbajë mbledhjen e tretë të kuvendit komunal të Prishtinës.

Komuna e Prishtinës ka ndarë 10 hektarë tokë për të ndërtuar një strehimore të qenve endacak por për të cilën ende nuk ka detaje konkrete të planifikuara se si do të duket dhe si do të funksionojë kjo strehimore. Lokacioni është përfolur të jetë në afërsi të Badovcit.