Kthehet furnizimi i rregullt me rrymë

Kompania për distribuimin e energjisë në Kosovë – KEDS, ka rikthyer furnizimin e rregullt me energji elektrike sot. Kjo pasi është arritur marrëveshja në mes Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH).

“Bashkëpunimi me Shqipërinë do të pasohet nga të tjera masa në adresim të krizës energjetike dhe gjendjes së emergjencës ku ndodhemi. Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë.

KEDS kishte njoftuar dje se kishte pranuar urdhëresë nga Qendra Nacionale Dispeçerike e Kosovës, pjesë e KOSTT-it, që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike nga ora 8:00 e të hënës.

Këto kufizime, sipas njoftimit, në bazë të planit të dërguar ishin planifikuar të jenë deri në 2 orë për të gjithë konsumatorët.

Pra, konsumatorët sot gjatë ditës patën nga 6 orë energji elektrike dhe 2 orë kufizime.