Foto: KALLXO.com

Kthehen në punë eprorët e Policisë të suspenduar pas vrasjes së pesëfishtë në Gjilan

Dy muaj më parë eprorët më të lartë të stacionit të Policisë në Gjilan ishin suspenduar nga detyra pas incidentit tragjik ku mbetën të vrarë 5 persona.

Mirëpo, komandanti i stacionit policor, Alban Ramushi, zëvendëskomandanti Naser Rrahmani, Negovan Mihajloviq, shef i Operativës, si dhe Xhavit Azizi, staf civil në Polici, janë rikthyer sot në punë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe Zyra për Informim e Policisë së Rajonit të Gjilanit.

Në përgjigje thuhet se kthimi në punë i Ramushit, Rrahmanit, Mihajloviqit dhe Azizit është bërë me vendim të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

“Me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës dhe me vendim të drejtorit të PK-së, nga sot janë kthyer në vendet e punës të apostrofuarit”, thuhet në përgjigje.

Tre eprorët e Policisë dhe zyrtari nga stafi civil ishin suspenduar me rekomandim të IKP-së në shkurt të këtij viti.

Suspendimi i tyre ishte bërë për shkak të ngjarjes tragjike e cila ndodhi në Gjilan, ku një police dyshohet se vrau katër familjarët e saj e më pas kreu edhe vetëvrasje.

IPK kishte rekomanduar suspendimin e tyre për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Në shkurt të këtij viti një zyrtare policore dyshohet se kishte vrarë katër famljarët e saj e më pas edhe veten.

Ende nuk janë bërë të qarta motivet që kanë shtyrë zyrtaren policore të ndërmerrte këto veprime tragjike.

Prokuroria në Gjilan dhe Inspektorati Policor i Kosovës po hetojnë rastin dhe deri më tani ende nuk ka diçka zyrtare lidhur me hetimet.

Një zyrtare policore dyshohet se kreu krimin duke vrarë katër anëtarët e familjes së saj, babanë, nënën dhe dy vëllezërit para se të kryente vetëvrasje.

Arma e përdorur në këtë rast sipas deklaratave zyrtare është arma zyrtare e Policisë.

Policja tashmë e ndjerë viteve të kaluara kishte qenë në trajtim mjekësor për shkak të disa problemeve psikike.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht për rastin dhe për suspendimin e eprorëve të Policisë në Gjilan.