Raportimi i KSHC në Komision parlamentar, 15 shkurt 2022, Foto: KALLXO.com

KShC raporton për procesin e akreditimit për vitin 2021 në Komisionin parlamentar

Këshilli Shtetëror i Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim ka raportuar për procesin e akreditimit për vitin 2021 në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport.

Kryetarja e KShC, Hasnija Ilazi tha se në vitin 2021 janë miratuar 90 aplikacione për akreditim të institucioneve të arsimit të lartë dhe 40 janë refuzuar, nga 239 aplikacione për akreditim institucional dhe të programeve.

“I tërë procesi akreditimit ka përfunduar me kohe përkundër që ka pas vonesa shkaku i plotësimit të KShC me anëtarë dhe në këtë proces kanë kaluar 239 aplikacione 90 janë aprovuar  dhe 40 janë refuzuar për akreditim. Ka qenë një punë shumë voluminoze por ka qenë një periudhe e shkurtër dhe ne anëtaret me marrë vendime për akreditime kanë qenë rekomandimet ekspertëve dhe pothuajse në te gjitha është votuar sipas atyre propozimeve”, tha ajo.

Kryetarja ka shtuar se 81 ekspertë ndërkombëtare kanë marrë pjesë në proces të akreditimit “dhe ato rekomandimet e tyre bazohen në vlerësimin e gjendjes dhe pozitive është se krejt procesi ka qenë në pandemi, në rajon është bllokuar vlerësimi por këtu është mbajtur vlerësimi në distancë”.

“Orientimi i vazhdueshëm drejt përmirësimit të cilësisë në arsim ka dhënë rezultate edhe nga raporti i progresit është vlerësuar. Edhe programet që si kanë plotësuar kriteret i kanë marrë rekomandimet për përmirësimin e cilësisë sepse ne nuk jemi këtu mi mbyllë programet, por me be cilësi edhe për vetë programet. Kjo ka një qëllim që stafi akademik dhe studentët të jenë të barabartë ndërkombëtarisht”, ka theksuar Ilazi.

Kurse, anëtari tjetër i KShC, Dukagjin Zeka tha se agjencia i ka kryer punët vetë, ndonëse bordi ka qenë jofunksional në fillim të vitit 2021.

“Pavarësisht se bordi ka qenë jofunksional në fillim të vitit 2021, agjencia ka bërë punët e vetë duke zhvilluar procedurat për akreditim dhe më kompltetim të bordit janë marrë vendimet për akreditim”, tha ai.

Ndërkaq, anëtari i Komisionit për Arsim nga LVV, Jahja Kokaj shprehi shqetësim për mos akreditim të programit të elektroenergjetikës në Universitetin e Prishtinës në vitin 2021.

“Për elektroteknikën dhe energjetikën e kam një shqetësim, e di se s’është akredituar, jam brengosur shumë por si është puna jonë që jemi në këtë gjendje, e di se ju keni bërë punën tuaj profesionale, por dua ta di nga kemi ngecur dhe po ashtu dua të di për standardet e reja”, theksoi ai.

Atij iu përgjigj kryetarja e KShC,  Hasnija Ilazi, e cila tha se vetëm një drejtim i elektroenergjetikës nuk është akredituar.

“Prej 92 programeve që kanë qenë nga UP në proces të akreditimit gjatë vitit 2021, 5 nuk kanë kaluar, 87 janë akredituar, nuk është krejt fakulteti i elektroteknikës, por vetëm një drejtim i elektroenergjetikës nuk është akredituar. Ne e dimë që është prioritet por s’mundemi me bë kur ska cilësi. Nuk kemi kontestuar rëndësinë e programit por këtu duhet të shkojnë paralelisht. Unë besoj që kolegët e këtij drejtimi janë mobilizuar tashmë për aplikim të ri për përmirësim të situatës”, theksoi ajo.

Sa i përket të standardeve për aplikim për akreditim, kryetarja e KShC tha se janë duke i shqyrtuar të gjitha inputet e gjitha institucioneve.

“Prej 1 tetorit të fillojmë më standarde të reja në përmirësim të cilësisë”, tha ajo.

Anëtari tjetër nga KShC Dukagjin Zeka, sa i përket mos akreditimit të programit të elektronergjetikës në UP.

“Ne si KSHC e kemi leju me hy në proces të akreditimit kurse ekspertët na kanë thënë që s’munden me mbrojt programin e tyre, për shkak të problemit të këtij Departamentit, sepse nëse ne kishim vendos në kundërshtim me rekomandimin e ekspertit do të ishte krijuar rast precedent” , tha ai.

Kurse, nënkryetari i Komisionit për Arsim, Enis Kervan kërkoi përgjigje në lidhje me ekspertët ndërkombëtarë.

“Sipas ligjit Kosova është i vetmi vend rajon që ka ekspertë ndërkombëtarë, deri kur është paraparë që kemi vlerësim vetëm nga ekspertët ndërkombëtar”, tha ai.

Për këtë kryetarja e KShC, Hasnija Ilazi tha se kjo cështje është e ndjeshme.

“Çështja e ekspertëve eshtë e ndjeshme sepse raportin e tyre është vështirë me kontestu sepse janë të fushës, ne kemi paraparë edhe në ligj por shpresoj që kjo të ruhet edhe në ligjin e Agjencisë për Akreditim. Ekspertët nderkombëtarë kanë njëfarë autonomie. janë ende vendet evropiane që kanë ekspertët ndërkombëtarë për vlerësimin e programeve të tyre. Veçanërisht kur është vendi i vogël dhe mendoj se ende në këtë fazë është i nevojshëm ekspertiza ndërkombëtare, kjo është një nga arsyet”, tha ajo.

Anëtarja e KShC Rozafa Koliqi tha se për këtë duhet kërkuar përgjegjësi edhe nga UP-ja.

“Sa i përket elektroteknikës kjo pyetje duhet ti shtrohet UP dhe duhet me u hapë sepse kemi njerëz që kanë studiu e kanë ecë përpara e kanë mbetë jashtë universitetit, kështu që UP duhet me u hapë dhe gishti duhet të drejtohet tek ata”, tha ajo.

“Unë e di që ka shumë debate për ekspertet ndërkombëtare, unë mendoj që nuk janë pjekë kushtet që t’i vlerësojmë vetë programet e tona dhe ish kriju një situatë kaotike dhe nëse është diçka e mirë për punë janë ekspertët ndërkombëtarë dhe mendoj se nuk janë pjekur kushtet”, shtoi Koliqi.

Anëtarja e Komisionit për Arsim nga LDK, Vlora Dumoshi kërkoi të dijë nëse anëtarët kanë pasur ndërhyrje politike për akreditim të ndonjë programi.

“Do të fokusohem tek kryetarja që tha se të gjitha programet që janë akredituar me rekomandim të ekspertëve a ka pasur raste ka vendosur ndryshe dhe në cilat raste dhe rrethana ka pasur si dhe a keni pasur ndërhyrje politike për akreditim të programeve”.

Për këtë Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë Hasnija Ilazi tha se kanë pasur raste kur nuk kanë pas konsistencë në kohëzgjatjen e akreditimit.

“Ka pasur raste kur kemi vendos jo tërësisht në kundërshtim me rekomandim të ekspertëve, nuk ka ndodhë në rastet se a duhet të akreditohet a jo, por ka pas raste kur nuk kemi pas konsistencë në kohëzgjatjen e akreditimit dhe me numrin e studentëve që duhet të pranohen. Ka pas raste që kanë qenë propozime për zgjatje të akreditimit për 3 vite, ne kemi vendos për 2 vite, asnjëherë nuk është prek substanca”, derisa nuk foli për ndikimet politike në këtë proces.

“Çështja e monitorimit ka qenë pika më e dobët e Agjencisë për Akreditim për shkak të stafit dhe mungesës së dokumentit”, tha ajo, duke theksuar se aktualisht është punuar në manualin për monitorim që pritet të kalojë në mbledhjen e ardhshme.

Kryetarja e KSHC-së, foli edhe për kthimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ENQA dhe EQAR.

“Ne do të kemi një vizitë të ekspertëve të EQAR në maj dhe do të ketë vizitë jo vetëm në AKA dhe vizitë e parë ka me qenë na jepen rekomandime që kur të bëhet vlerësimi i vërtetë në fund të vitit, nëse nuk arrijmë të kthehemi nga ENQA, ne mund të kthehemi në EQAR dhe kjo ka me qenë mire”, tha ajo.