KShC raporton në Komisionin për Arsim: S'ka akreditim pa publikime shkencore

Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnija Ilazi ka bërë të ditur se kanë vendosur që programet që janë në riakreditim këtë vit, standardet për publikime shkencore për bartësit e programeve, janë shtyrë për një vit, pra deri në vitin 2022. Kurse vendimi do të vlejë për programet që aplikojnë për herë të parë për akreditim.

Këtë njoftim, Ilazi e bëri të ditur në mbledhjen e Komisionit për Arsim dhe Shkencë në të cilin sot u diskutua për plotësimin e standardeve për akreditim të programeve të institucioneve të Arsimit të Lartë, që janë vendosur së fundmi nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

“Kriteret shtesë që janë vendosur për akreditim të programeve në një mbledhje që e kemi mbajtur sot, kemi vendosur që programet që janë në riakreditim të mos zbatohen këto kritere për publikime shkencore”, tha Ilazi.

Kryetarja e këtij Këshilli, Hasnija Ilazi tha se synim kryesor i insititcionit që drejton është kthimi i Kosovës në ENQA, derisa kërkoi nga deputetët që të miratojnë sa më shpejtë Ligjin për Agjencinë e Akreditimit.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola që për rreth 30 minuta vetëm ai e mori fjalën në këtë komision, kërkoi të di se e kujt ka qenë ideja për kriteret shtesë për akreditim të programeve.

Për këtë, kryetarja e KShC-së, Ilazi tha se këto s’janë kritere të reja, por plotësimi i standardeve.

“S’janë kritere të reja, na flasim për plotësim të standardeve sipas manualit dhe sipas ligjit për Arsimin e Lartë e kemi kompetencën për standarde por edhe plotësimin. Ne jemi bashkë si kolegjium dhe vendosim bashkërisht për idetë tona”, tha ajo.

Gola po ashtu tha se ka kërkuar nga Agjencia e Akreditimit që 8 ditë procesverbalin e mbledhjes që është vendosur për standard dhe ende s’ka pranuar përgjigje, duke e kontestuar edhe juridikisht këtë vendim të KShC.

“A keni juristë, çfarë peshe juridike ka kjo? Këtu s’po diskuton askush për idenë por për bazën ligjore”, tha Gola.

Për këtë pati përgjigje, anëtari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Dukagjin Zeka, i cili tha se janë organ i pavarur.

“Ju e dini se në bazë të ligjit jemi agjencion i pavarur që ka kompetencat e veta. Jo vetëm për këtë, por edhe më herët ka pasur debate edhe për doktoratën, janë mbajt 6-7 muaj diskutime dhe kjo është minimumi i mundshëm. Ne nuk jemi palë për institucionet, palë për neve është studenti kush po ju jep mësim?”, pyeti Zeka.

Përsëri Gola kërkoi të dijë bazën ligjore për këto veprime të KShC-së, duke i akuzuar për ‘zhvendosje të pragut të minimalitetit’.

Pas kësaj reagoi, kryetarja e KShC-së, Hasnija Ilazi, e cila u shpreh e bindur se s’do të ketë programe të reja pa shkencë.

“Për mua është i njëjti kat, për mu s’ka doktoratë pa punime. Secili student i ri pa e pas një punim të botuar është e pamundur. Nuk mundemi ne vazhdimisht me konstatu gjendjen dhe me jetu brenda asaj gjendje. Unë s’muj me kuptu këtë logjik, ne nuk prodhojmë këpucë prodhojmë shkencë. Qysh mundet mi pas një profesor 60 vjet e asnjë punim?”, u shreh Ilazi.

Ajo theksoi se kërkesa që bartësit e programeve të kenë një punim shkencor është minimale, pasi sipas saj, ata duhet me qenë persona vizionarë.

“Ky është minimumi i minimumit, sepse ti je tu bo shkencë, për ashtu shko në shkollë të mesme jep mësim”, tha më tej Ilazi.

Pas saj, drejtori i AKA-së, Naim Gashi, e ftoi kryetarin e Komisionit për Arsim, Ardian Gola në zyrën e tij për t’ia sqaruar të gjitha çështjet.

Ndërsa, anëtarja nga PDK në këtë komision, Eliza Hoxha vëri në dyshim insistimin e vazhdueshëm të deputetit Gola karshi kësaj çështje, madje duke e potencuar se deputeti Gola i ka dërguar pa diskutim nga komisioni ftesë KShC-së për raportim.

“Kryetar, email-in që e ke dërguar a ka qenë si deputet apo si kryetar i Komisionit, sepse s’pe kuptoj insistimin tënd në këtë temë. Po frikësohem se mund të ketë intervenim në punën e këtij institucioni”, tha Hoxha.

Kurse, anëtarja, Rozafa Koliqi theksoi se vendimi për shtyrje të zbatimit të kritereve për programet në riakreditim deri në vitin 2022, nuk është shtyrë për shkak të presioneve të ndryshme, por për shkak që një numër i madh i programeve afektohen.

KALLXO.com kishte raportuar ditë më parë se Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka vendosur kritere shtesë sa i përket akreditimit të programeve të institucioneve të Arsimit të Lartë, përveç atyre të përcaktuara me ligjet e Kosovës.

Sipas vendimit, nga 1 tetori 2021, përveç kritereve të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ për Akreditim, bartësit e programeve në nivelin bachelor duhet të kenë të paktën 1 (një) publikim shkencor të indeksuar nga fusha e studimit/programit.

Ndërsa, në nivelin master duhet të kenë të paktën 2 (dy) punime nga fusha e studimit/programit në revista shkencore të indeksuara si autor i parë apo korrespondent sipas nenit 3, pika 1.1 Web of Sciences koleksioni bërthamë (SCIE, SSCI dhe AHCI) dhe 1.2 SCOPUS, duke përjashtuar revistat apo shtëpitë botuese të dyshimta sipas UA 01/2018 të aprovuar nga MASHTI.

Këto kritere tashmë do të vlejnë vetëm për programet që aplikojnë për herë të parë këtë vit, ndërsa, ato që janë në riakreditim do të përjashtohen këtë vit deri në vitin 2022.

Kurse, nga 1 tetori 2022, përveç kritereve të përcaktuara me UA për Akreditim, bartësit e programeve në nivelin bachelor duhet të kenë thirrjen akademike Prof. Ass. dhe të paktën 1 (një) publikim shkencor të indeksuar.

Në nivelin master duhet të kenë të paktën thirrjen akademike Prof. Ass.  dhe 2 (dy) punime në revista shkencore të indeksuara si autor i parë apo korrespondent, sipas nenit 3, pika 1.1 ËEB OF SCIENCES koleksioni bërthame (SCIE, SSCI dhe AHCI) dhe 1.2 SCOPUS, duke përjashtuar revistat apo shtëpitë botuese të dyshimta sipas UA 01/2018 të aprovuar nga MASHTI.

Punimet me vlerë shkencore kriter shtesë për akreditim të programeve të Arsimit të Lartë

.