KShC njofton kolegjet dhe universitetet ku mund të ankohen

Këshilli Shtetëror i Cilësisë në mbledhjen e mbajtur dje ka diskutuar në lidhje me vendimet e Komisionit të Ankesave të AKA-së, që i kanë bërë pasi që të jepnin dorëheqje.

KShC në këtë mbledhje nuk ka marrë ndonjë vendim, por ka vendosur që t’u dërgojë një njoftim të gjitha institucioneve të larta që të drejtën për ankim ta shfrytëzojnë sipas ligjeve në fuqi.

Po ashtu, anëtarët theksuan se qëndrojnë prapa vendimeve të tyre fillestare, duke u bazuar në raportet e ekspertëve ndërkombëtarë.

Për këtë çështje votuan 7 anëtarë pro dhe 1 kundër.

Vendimet e Komisionit të Ankesave kishin të bënin me disa rikthime të akreditimeve për disa universitete që KShC-ja kishte vendosur të mos akreditohen.

Kështu, KShC-ja akuzonte Komisionin e Ankesave për tejkalim kompetencash, pasi sipas tyre ata janë të thirrur vetëm të shikojnë mënyrat procedurale dhe jo të marrin vendime, sepse sipas KShC-së nuk janë shkallë e dytë.

Komisioni i ankesave të Këshillit Shtetëror të Cilësisë ka dhënë dorëheqje me 27 gusht.

Në prill të këtij viti, Këshilli Shtetëror i Cilësisë kishte pezulluar punën e Komisionit të Ankesave për shkak se kishin kuptuar që versioni përfundimtar i rregullores me të cilën punon Komisioni i Ankesave nuk është votuar asnjëherë nga anëtarët e KSHC-së.